E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Vlora për herë të parë do të bëhet me kryetare bashkie


TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Në 9 nëntor qytetarët e 5 bashkive në vend, Vlorës, Beratit, Tepelenë, Cërrikut e Matit do të votojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie.

Ndërkohë që fushata elektorale ka nisur zyrtarisht në 1 nëntor, kandidatët për kryetarë në këto bashki kanë intensifikuar edhe takimet elektorale me qytetarët.

Gara elektorale në bashkinë e Vlorës zhvillohet mes kandidates së Partisë Socialiste, Brunilda Mersini, kandidatit të pavarur të mbështetur nga opozita Dionis Sota dhe Gjergj Nikës, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e PD-së, i cili fitoi të drejtën në Kolegjin Zgjedhor për të garuar si kandidat i pavarur.

Duke komentuar zgjedhjet në Vlorë, Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se Vlora për herë të parë do të bëhet me kryetare bashkie.

“Në Vlorën e bukur, e cila këtë të diel do të bëhet për herë të parë me një kryetare bashkie”, u shpreh Rama, ndërsa ndau pamje nga qyteti bregdetar.

Rreth 308 mijë qytetarë të 5 bashkive do të zgjedhin të dielën e 9 nëntorit kryetarët e rinj të bashkive.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore garojnë 13 kandidatë, ndërsa si subjekte zgjedhore janë regjistruar 6 parti politike.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›