Rama: Vota masive për PS-në s’është shprehje e kënaqësisë popullore, por e një përgjegjësie të madhe

Kryeministri Edi Rama, nga Berati, u shpreh se vota masive për PS-në në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, nuk është shprehje e kënaqësisë popullore për PS, por është një votë e përgjegjësive të mëdha.
Sipas tij, PS, në një garë elektorale, ka arritur fitore për herë të parë në 30 vite në Tropojë, Kukës, Shkodër, Kamzë e kështu me rradhë.
“Kemi 2 herë e gjysëm më shumë këshilltarë, krahasuar me të dytin pas nesh, por që janë të fundit pas nesh. Kjo, falë përkushtimit të anëtarëve të PS, të përkushtimit të tyre dhe të qytetarëve, të cilët u angazhuan në një përpjekje duke bërë të mundur që makina elektorale e PS-së të ecë me një shpejtësi të re”- tha Rama në Berat, si pjesë e turit të falenderimeve që ai po zhvillon në të gjithë vendin.
Sipas tij, në këtë fitore rolin vendimatar e patën zgjedhësit, të cilët votuan masivisht PS-në në të gjithë qarkun.
“Falenderoj dhe ata zgjedhës që votuan për hërë të parë PS, por edhe ata që nuk dolën fare në votim dhe që nuk e “ndynë dorën”, për të vënë shenjën te koalicioni i hijeve të së shkuarës. Nga Çepani, Poliçani, Skrapari, Berati dhe deri në Kuçovë votuan PS. Morën disfatën që meritonin. Kemi fituar 8 nga 9 betejat elektorale. Kjo është një barrë shumë e madhe. Duhet të bëjmë çmos ta mbajmë me dinjitet. Pritshmëria e zgjedhësve është komplimenti më i mirë për ne, por që duhet t’i korrigjojmë edhe gabimet.”- tha Rama.
Kreu i qeverisë, ndër të tjera, ka folur edhe për drejtësinë, duke nënvizuar se vendi tashmë ka hyrë në një fazë të re.
Sipas tij, duhet bërë durim në luftën kundër korrupsionit, pasi, “për herë të parë në historinë e popullit tone, po goditen njerëz të lidhur me pushtetin”.
“Kjo nuk është e lehtë. Kjo të bën të ndihesh jo mirë. S’ke se si ndihesh mirë kur sheh që dikush që ka qenë përkrah teje, më pas është përkrah avokatit, përballë prokurorit apo gjykatësit. Rruga është një e përpjetë, jo dishezë. Për herë të parë ndodh kjo, për këtë duhet të jemi krenarë“- theksoi Rama.
/rtsh.al/ a.m/