Rama: Vota në 11 maj për PS, investim për të marrë pasaportën europiane

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi se vota në zgjedhjet e 11 majit për PS, është investim për të marrë pasaportën europiane.
Gjatë takimit elektoral sot në Elbasan, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të gjithë në 11 maj duhet të bëjnë sa më shumë njerëz me vete, sepse, siç tha ai, “më shumë se kurrë zgjedhjet nuk janë vetëm se kë parti do të zgjedhim, por se çfarë do të bëjë populli shqiptar në takimin me historinë”.
“Takimi ynë me historinë është që ne t’i kapërcejmë partitë dhe kufitë dhe të fokusohemi tek flamuri kuqezi dhe tek ai europian, i ëndrrës më të bukur në botë.
Të gjithë qytetarët në të gjithë Shqipërinë, prindër që kanë fëmijë në shkollë, në 11 maj duhet të mendojnë për fëmijët që nuk kanë të drejtë vote dhe duhet ta harrojnë partitë e tjera dhe duhet të mendojnë se çfarë i duhet fëmijës së tyre, sot që unë kam votën, dhe duhet ajo që i bashkon me socialistët me progresistët, me shumicën, i duhet që unë babai të votoj, që me mbështetjen e shqiptarëve dhe të Zotit, Shqipëria të mbyllë negociatat dhe unë t’i jap fëmijës tim dhuratën më të madhe që mund t’i bëj, t’i jap një dhuratë që është më e çmuar se çdo vlerë monetare, pasaportën europiane. Se me atë pasaportë unë i bëj fëmijës tim, atë që për gjenerata dhe shekujt të tjerët nuk e bën kurrë, duke i dhënë statusin e të barabartit me fëmijët europianë”, tha Rama.
“Duke i dhënë autoritetin europian jo vetëm me zakon, por edhe me pasaportë, me atë pasaportë unë fëmijëve nuk u jap një atdhe, se atdheun na e kanë dhënë të parët tanë, por u jap një vend që është shumë më i madh se atdheu, duke i bërë njëkohësisht qytetarë europianë kudo ku ata duan të ulen të qëndrojë dhe të lëvizin”, u shpreh Rama.
Rama vuri në dukje se, me pasaportën europiane Shqipëria bëhet e madhe sa BE dhe BE bëhet e vogël sa Shqipëria.
“Me pasaportën europiane merr fund historia e stërgjatë e popullit të nëpërkëmbur dhe ky flamur do të jetë krah përkrah me ato flamuj që ne i kemi parë të pa aritshëm dhe kjo e gjitha ka ardhur në dorën dorë, nda këtë mund ta bëjmë ne”, u shpreh Rama, teksa ftoi qytetarët të votojnë PS në zgjedhjet e 11 majit.
/r.e/a.f/