E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Votoni për veten tuaj, lëreni ndarjen Veri-Jug

Rama: Votoni për veten tuaj, lëreni ndarjen Veri-Jug

rama ne belshGjatë një takimi me banorë të zonës së Don Boskos, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u kërkoi atyre që në 23 qershor të votojnë për veten e tyre dhe jo sipas origjinës që i përkasin. Shqipëria është shumë e vogël për ta ndarë në veri e jug, po ti hyjmë origjinës të gjithë dalim pak nga jugu e pak nga veriu. Problemi është kush të bën punën, lëreni ndarjen Veri-Jug, u shpreh Rama. Lideri i opozitës premtoi të tjera investime për Tiranën, ndërsa tha se i njeh mirë problemet e kryeqytetit. Jam krenar për atë që kam bërë për Tiranën, sikur të kishim pasur një qeveri kombëtare që pas 2003 do ishte mirë, por qeveria që kemi nuk na ka lënë rehat, jo më të na mbështeste. Me votën ndaj PS në Tiranë do ketë transformime më të mëdha se ato që kam bërë unë në 11 vjet, e njoh në çdo pëllëmbë, ia di problemet me sy mbyllur e di çfarë duhet bërë për Tiranën, që të përfundojë me sukses të plotë transformimi i madh që ne nisëm. Vota e 23 qershorit do ta tregojë këtë, premtoi Edi Rama.

Themeluesi i PD-së gris teserën para Ramës

Gjatë takimit të djeshëm të Ramës në Don Bosko një themelues i Partisë Demokratike, tha se ndjehej i zhgënjyer nga kjo parti dhe në shenjë proteste grisi teserën e anëtarësimit të PD-së. Kam 23 vite me PD do ta djeg teserën, ju lutem më falni për shqetësimin por jam një nga themeluesit e PD, iu drejtua ai Ramës, ndërsa grisi teserën. Pas këtij veprimi Rama tha se kjo ishte zgjidhja jote ti e grise, edhe unë demokrat i 90-ës jam, po ika për 20 minuta sa takova atë njeri.

***
Kamerierët janë me master, është deformuar marrëdhënia mes shkollës dhe tregut të punës

Rama për të rinjtë: Ne do ofrojmë universitet ose zanat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi dje një bashkëbisedim me banorë të zonës së Fushës së Aviacionit në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij, kreu socialist u ndal veçanërisht tek problemi i punësimit të të rinjve.
Të rinjtë
Sipas Ramës sot numri i të rinjve të papunë është tepër i lartë edhe pse shumica e tyre janë të shkolluar. Në çdo lokal kamerierët janë me master sepse sot është një deformim total i marrëdhënies mes shkollës dhe tregut të punës. Kushedi sa juristë kemi këtu. Problemi është se janë pa punë të gjithë. Se të rinjve iu dha vetëm një rrugë universitet, universitet dhe vetëm universitet, por punë nuk ka. Ne ofrojmë universitet ose zanat. Po ku do të shkojmë përpara me këtë kryeministër? Se 70% e të rinjve janë bërë analfabetë funksionalë, ne nuk do lejojmë ti bëjmë 80%. Shteti ka përgjegjësi, jo të kthejë sistemin e universiteteve njësoj si sistemi i Piramidave dhe Sudja, u shpreh Rama.
Legalizimet
Në vijim të bashkëbisedimit, Rama i është rikthyer edhe një herë çështjes së legalizimeve. Teksa akuzoi qeverinë se ka abuzuar me procesin e dhënies së legalizimeve për banorët, Rama premtoi zgjidhje të kësaj çështje gjatë qeverisjes së socialistëve. Kam qenë i pari funksionar publik që kam artikuluar fjalën legalizim publik në vitin 2000, kur u zgjodha kryetar dhe ai ligji u bë çorap sepse sa herë ka zgjedhje, fut duart Saliu. Dhe tani në fushatë çojnë ca personazhe që të bëjnë matje dhe përfundon me një copë letër në dorë e përfundon në fushatën tjetër kur ai vjen prapë me metër, kur do thotë e pati fajin Shabani dhe tani do vëmë Hysën. Ne nuk tregojmë përralla, u shpreh Edi Rama. Sipas kreut të PS-së hipotekimi i banesave të qytetarëve do të jetë një kapital i madh i cili do të kthehet në përfitim për banorët si dhe në miliarda lekë të cilat do të ndihmojë në rilindjen e ekonomisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›