Rama: Zgjedhje e qartë në 11 maj, mes kënetës turp kombëtar dhe Shqipërisë në BE

TIRANË, 5 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Devolli se zgjedhja në 11 maj është midis një kënete që është turp kombëtar dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një takim elektoral në Devoll, Rama nderoi këtë 5 Maj, me respekt dhe me përulje të gjithë ata që dhanë jetën për liri dhe për flamur.
“Përpara këtyre flamujve dua t’i them të gjithë devollinjve që kanë një zgjedhje për mua shumë të qartë. Zgjedhja është e qartë. Zgjedhja është midis një grupi rrugaçësh ku kryerrugaçi sot është në burg për rrahje, ndërkohë që kryerrahësi nuk është në burg se është deputet dhe midis të gjithë këtyre deputetëve që ne i afrojmë Devollit dhe Korçës”, tha Rama.
Rama tha se zgjedhja në 11 maj është midis një politikani të mbaruar dhe të pashpresë dhe shpresës së madhe të Shqipërisë më në fund përfundimisht europiane, e lirë dhe e barabartë mes gjithë popujve të Europës.
“Zgjedhja është midis kënetës bashkë me bufin për t’u kthyer edhe njëherë aty ku të çon bufi në gropë dhe kësaj pasaportës për këtë gjeneratë këtu, që ka lindur me këmishë se është gjenerata e parë edhe me celular dhe me pasaportë europiane”, tha Rama.
Rama ftoi shqiptarët, veçanërisht prindërit demokratë që të bëjnë gjënë e duhur për fëmijët e tyre.
“Do t’u japin në dorë një dhuratë që prindërit tanë nuk na e dhanë dot, gjyshërit tanë nuk ua dhanë dot atyre dhe kështu duke shkuar deri te Skënderbeu që bëri profecinë që vendi ynë është në perëndim jo në lindje”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se fati na e ka sjellë që me një votë të bashkohemi dhe t’i japim fuqi Shqipërisë, të mbyllim negociatat dhe ta kapërcejmë atë prag.
Duke iu drejtuar demokratëve të Devollit, Rama i ftoi që në 11 maj “të ndërrojnë dorë”, sepse Shqipëria e ka ndërruar. /j.p/