Rama nga Devolli: Objektivi për 2030-n, pagë mesatare 1200 euro

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, gjatë një takimi elektoral në Devoll, bëri një bilanc të arritjeve ekonomike të tre mandateve të qeverisjes, duke theksuar përmirësimet në tregun e punës, pensione, paga dhe uljen e pabarazisë në të ardhura.
Rama tha se Shqipëria sot është në të njëjtin nivel me mesataren e vendeve të BE-së për sa i përket rrezikut për të rënë në varfëri, duke iu referuar të dhënave të Eurostat. Po ashtu, ai vuri në dukje se edhe pabarazia në të ardhura ka pësuar ulje të ndjeshme, bazuar në të njëjtat burime europiane.
“Na thuhet çdo ditë se janë 5 oligarkë që marrin gjithçka. Por në Shqipëri nuk ka oligarkë. Janë disa të pasur, por jo oligarkë në kuptimin që i japin urdhra qeverisë. Përkundrazi, janë taksapaguesit dhe punëdhënësit më të mëdhenj”, tha Rama.
Ai theksoi se niveli i papunësisë ka rënë në nivel historik, në më pak se 10%, dhe se kjo përqindje llogaritet mbi forcat aktive të punës, jo mbi gjithë popullsinë.
“Tani shumë njerëz thonë, ah po ngaqë ka rënë numri i popullsisë, ka rënë dhe numri i papunësisë. Jo! Nuk është % mbi popullsinë kjo. Kjo nuk është 8.8% e gjithë popullsisë, këtu nuk llogariten pensionistët, këtu nuk llogariten kalamajtë. Kjo është % mbi forcat e punës dhe s’ka rëndësi sa i madh apo sa i vogël është vendi, përqindja del mbi sa forca pune ka vendi në dispozicion dhe sa prej tyre janë në punë dhe sa prej tyre janë pa punë”, theksoi ai.
Numri i të punësuarve, vijoi Rama, sipas regjistrave zyrtarë, ka shkuar nga 1 milion e 23 mijë në vitin 2013 në 1 milion e 327 mijë në vitin 2024.
“Ata që thonë ku janë 300 mijë vende pune, ja ku janë: nga 1 milion e 23 mijë në 1 milion e 327 mijë. Këto janë emra konkretë në regjistra zyrtarë”, theksoi ai.
Rama po ashtu nënvizoi se përqindja e të punësuarve me paga nën 40 mijë lekë është ulur ndjeshëm.
“Në vitin 2013, 60% e shqiptarëve merrnin më pak se 40 mijë lekë në muaj. Sot kjo shifër është ulur ndjeshëm dhe shumica e këtyre janë me kontrata të pjesshme”, theksoi ai.
Kryeministri foli edhe për pagën minimale, e cila ka pësuar rritje të vazhdueshme, dhe synimi është që në janar të vitit 2026 të jetë më e lartë, ndërsa në Shqipërinë e vitit 2030 të arrijë të paktën në 650 euro.
Për sa i përket pagës mesatare, Rama theksoi se aktualisht ajo është 848 euro, ndërsa në sektorin publik ka arritur në 1000 euro. Objektivi i qeverisë për vitin 2030 është që paga mesatare e përgjithshme të jetë 1000 euro dhe ajo në sektorin publik të arrijë në 1200 euro.