E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama bën fajtorë Metën e Berishën: Nxisin minorenët të djegin qytetin

Kryeministri Edi Rama, drejtoi sërish gishtin e akuzës mbi Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha për protestën dhe dhunën. Ai tha se ata janë nxitës dhe orkestrues dhe se minorenët në protestë janë manipuluar e abuzuar për të vënë nën hu e zjarr kryeqytetin.

“Kush del në protestë ka gjithë të drejtën e Zotit dhe të drejtën e vet të manifestojë indinjatën e tij për një akt që ka indinjuar të gjithë por nuk ka të drejtë të prekë asnjë fije floku të askujt tjetër. Policia e Shtetit nuk është një lukuni njerëzisht të mbledhur me lekë dhe të nxitur dhe të orkestruar nga një Presidenti i Republikës që akoma se ka dënuar dhunën, akoma nuk është kujtuar t’i thotë një fjalë kësaj familjeje që rri këtu, babë e nënë me zemër dridhur për efektivin e policisë por del dhe një orë përpara lajmit se po i vjen fundit botës nga kjo lukuni dhe inkurajon lukuninë dhe vë gishtin mbi policinë.

Prova është kjo që sapo thashë. Prova janë fjalët e presidentit të Republikës që është nxitës dhe orkestruar, bashkë me atë tjetrin, ish-presidentin e Republikës që sot është krenar se ka vrarë njerëz, që i tregon shqiptarëve se dhuna është rruga për të bërë përpara në këtë vend dhe në këtë shoqëri. Prova janë ato pamje, dhe ata minorenë që janë të manipuluar dhe të abuzuar dhe patjetër të joshur dhe me para për të marrë rrugët dhe për të bërë ato që bëjnë pa qenë të vetëdijshëm për çfarë bëhet fjalë.

Për minorenët nuk mund të hyjmë në diskutim që ka ndonjë axhendë politike. Është e pandodhur që partia e presidentit të përdorë minorenët për të vënë nën hu e nën zjarr kryeqytetin. Këto janë gjëra që duhen vënë me radhë sipas peshës dhe sipas goditjes që i bëjnë qetësisë dhe sigurisë së njerëzve psikologjikisht dhe pastaj të flasim për ata që ankohen se përse policia reagon. Policia ka qenë përtej kufijve të tolerancës, qoftë natën e parë, qoftë natën e djeshme. Policia si në të gjithë botën ka detyrën të reagojë në mënyrë proporcionale dhe as të tërhiqet dhe as të pranojë të goditet dhe të lërë dritën e syve këtu se duan disa të bëjnë shesh e përshesh bashkë në mes të Tiranës”, deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›