E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama bën parashikimin për 2025-n: Probabiliteti që t’i humbim zgjedhjet është i ulët

Kryeministri Edi Rama ka bërë parashikimin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Duke folur nga Kukësi, kryesocialisti theksoi se probabiliteti që Partia Socialiste të humbë zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, është i ulët.

 “Nëse e shohim funksionimin e drejtësisë në tërësi, që funksionon për të gjithë qytetarët, ka shumë probleme akoma. Po kështu dhe pozicioni i Shqipërisë ndërkombëtarisht nuk është se mund të themi është i konsoliduar.

Të gjitha këto mund të kthehen mbrapa, jo se nuk mund të mos fitojmë zgjedhje, sepse ky është një probabilitet i ulët, por mund të kthehen mbrapa nëse nuk jemi vazhdimisht të gatshëm për të përmirësuar mënyrën sesi ne qeverisim.

Çdo skuadër, sado e madhe të jetë, kur fiton një trofe, të nesërmen fillon stërvitjen, për tu përmirësuar, sepse e nesërmja është një rifillim nga e para dhe këtë sens PS ka ditur të rifillojë herë pas here duke mbledhur eksperiencën, duke konsoliduar pjesë të organizimit të vetë që funksionojnë dhe duke kërkuar të transplantojë pjesë të organizmit që kanë nevojë për rigjenerim.

Sipas tij, njerëzit kanë kuptuar se çfarë ofertash ka në këtë garë dhe se kjo nuk është çështje tifozllëku. Në këtë mënyrë, Rama shtoi se me fuqizimin e Partisë Socialiste do të sjellë fuqizimin e vendit.

“Kjo kohë sot ka ndryshuar shumë dhe mënyrën sesi funksionin individi. I gjithë ky territor ka qenë një arenë ku PS në të shumtën e rasteve ka qenë e humbur, ndërsa sot njerëzit kanë kuptuar se kjo nuk është çështje tifollziku. Kanë filluar të kuptojnë se duhet parë se çfarë ofertash ka në këtë garë. Njerëzit zgjedhin ofertën më të mirë dhe ne duhet të bëjmë tonën. Ne nuk duhet t’i shohim njerëzit me sytë e të kaluarës, të gjithë kanë të drejtë të ndryshojnë dhe të bëhen pjesë e jona nëse duan. Duhet të fuqizojmë PS që të fuqizojmë Shqipërinë.

Ne kemi një të ardhme të ndritur sepse Zoti e  ka qëndis këtë vend, e ka bërë ditën e diel kur ka qenë pushim dhe është marrë me këtë vend ku në pak kilometra katror ka futur çdo gjë, dy dete, gjithë ato lumenj e liqene, lugina, kodra e male në pak distancë. Historia nuk na e ka bërë të mundur të zhvillohemi si Zvicra e Austria, por sot jemi në një kohë ku mund të bëjmë shumë vetë”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›