E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama bllokoi statusin kandidat dhe gjithë të mirat që vijnë me integrimin në BE”

21-04-2013 / Gazeta 55

Reagon PD pas heshtjes së koalicionit të ngjalave 

Partia Demokratike akuzoi kryetarin e PS-së Edi Rama se po thellon bllokadën e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit europian. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi se, ndërsa “marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë hapi dyert për Kosovën që të nisi rrugëtimin e saj drejt integrimit Europian. Për fat të keq, Rama vazhdon bllokadën e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit Europian”. 
Sipas saj, tashmë, Partia Demokratike ka bërë realitet lëvizjen e lirë pa viza dhe ka ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për integrimin në BE. “Tani ka mbetur vetëm kalimi i tre ligjeve të cilat vazhdojnë të bllokohen nga Rama. Ne do të bëjmë çmos që të tejkalojmë edhe këtë bllokadë, sepse ne besojmë se çdo i ri duhet të ketë mundësi pa kufij. Por e vetmja zgjedhje për të cilën interesohet Rama është të mbrojë pushtetin e tij në krye të Partisë Socialiste”, theksoi ajo.
Më pas zëdhënësja e PD, Vorpsi vuri në dukje se sa herë që Parlamenti është mbledhur, Edi Ramës i është kërkuar të lejojë një votim me shumicë të cilësuar mbi tre ligjet – dhe çdo herë ai e ka refuzuar.
“Vazhdimisht, ne kemi parë një rrjedhë të pafund alibish dhe shpikjesh, ndërsa ai bllokon ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të të rinjve shqiptarë. E vetmja gjë që i zë rrugën integrimit në BE është Rama. E vetmja gjë që i pret rrugën të rinjve për të studiuar në universitetet më të mira në botë është Rama. E vetmja gjë që pengon të rinjtë të punojnë dhe të trajnohen jashtë vendit është Rama. Dhe e vetmja gjë që pengon me dhjetëra mijëra vende pune të paguara më mirë dhe me qindra milion Euro është Rama”, vijoi ajo.
Ndër të tjera, theksoi zëdhënësja e PD, vitin e shkuar ne kishim statusin për vendin kandidat në BE deri sa Rama e bllokoi përsëri duke përdorur një varg alibish absurde. “Dhe tashmë është më e qartë se kurrë që bllokimi nga Rama nuk ka të bëjë aspak me moralin sepse gjithçka është pjesë e strategjisë së tij elektorale. Në mënyrë cinike ai ngadalësoi sepse e dinte se statusi i vendit kandidat në BE nuk mund të arrihet para zgjedhjeve, duke i kushtuar kështu të rinjve një arsimim të vlefshëm dhe mundësi punësimi të cilat atyre i nevojiten shumë”, theksoi Vorpsi.
Në fund të deklaratës për media, zëdhënësja e PD Laura Vorpsi nënvizoi se, Partia Demokratike nuk do të pushojë deri sa integrimi në BE të bëhet realitet dhe të rinjtë të jenë në gjendje të përfitojnë nga të gjitha të mirat që vijnë bashkë me integrimin në Europë si trajnimet profesionale jashtë vendit, Master-at dhe Doktoraturat në universitetet Europiane dhe dhjetëra e mijëra vende të reja pune këtu në Shqipëri.
“Sot, të rinjtë tanë janë më shumë se kurrë  të informuar, të përgatitur, të motivuar dhe të talentuar - dhe në qoftë se ata kanë të njëjtat burime si homologët e tyre në Europë, ata mund të konkurrojnë këdo në Europë”, përfundoi ajo.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›