Rama, debat apo fillim fushate?
Rikthimi i syve drejt debatit publik me rivalin politik nga zoti Rama është një lajm i mirë politikisht. Fundi i fundit, nëse pretendimet tona janë që të shkojmë drejt një demokracie me standarde, debati publik është një prej elementeve më të spikatura në këtë sistem. Në fakt, ajo që duhet evidentuar është fakti se rikthimi i Ramës drejt debatit publik përputhet më shumë me pamundësinë e tij për ta mbajtur partinë jashtë skenës së Parlamentit. Dhe futja e PS-së në Kuvend do të thotë rinisje e shfaqjes së emrave jashtë listës që ka shfaqur Rama përpara mediave. Por, vetë Rama, gjatë kësaj periudhe i ka pasur vetëm brenda selisë së tij ato pak zëra që e kanë kundërshtuar, ndaj nuk ka qenë i shqetësuar për atë që ata do të thoshin më pas në publik si jashtë strukturave. Por, me futjen në Kuvend gjërat ndryshojnë. Atij i rrezikohet protagonizmi, pasi duke mos qenë as deputet e as kryebashkiak, i mbeten vetëm konferencat e shtypit në seli. Kjo duket sikur e nxjerr në violinë të dytë politike për momentin.
Po ti rikthehemi edhe çështjes së opinioneve të javëpërjashme në shtyp nga z. Rama, duket se strategjia e tij është pikërisht të vendosë një kufi të debatit brenda forcës së tij politike, ose më saktë, vendosjen e kontrollit politik të opozitës në opinionin publik përmes mesazheve të firmosura vetëm prej tij.
Ndërkaq, nga ana tjetër, përvoja e deritanishme, dy humbjet e ngushta politike me Berishën që më së shumti e fajësojnë atë për mungesë strategjie dhe megalomani politike me partitë e vogla, e për më shumë frika se mos me afrimin e përzgjedhjes së figurave të ardhshme në zgjedhje mund të ketë shtim zërash kundërshtarë, duket sikur e detyrojnë tashmë Ramën të dalë nga rrethi i ngushtë që ka vendosur vetë. Sepse ai tashmë duhet ta dijë se humbjet mund ta ndahen edhe me 10 vota, edhe me 87, edhe me një deputet. Sepse demokracia nuk është thjesht akuzë, braktisje, bojkot, por është pjesëmarrje, debat dhe dhënie alternativash.
Deri më sot Rama ka ndërtuar figurën e liderit me program të rastësishëm, ku shpesh nuk i dokumentohen as në letër ato që premton se do të bëjë, siç ishte rasti i zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku nuk kishte asgjë të shkruar, përveçse një modeli as majtas e as djathtas, si për të thënë që as vetë nuk e dinte se çfarë përfaqësonte dhe se cili do të ishte objektivi më i rëndësishëm nëse vinte në pushtet.
Ky model i zgjedhur nga Rama, më shumë se sa mosardhjen së opozitës në pushtet, dëmtoi debatin real në Shqipëri, pasi mungesa reale e opozitës do të thotë mungesë reale e debatit, mungesë e alternativave.
Por tashmë Rama duket se kërkon të kthehet në vëmendjen e publikut. Por hapat e parë kanë qenë më së shumti të tipit të kërkoj atë që smundesh për të të bërë fajtor. Dhe po tu hedhësh një sy 10 kushteve që i janë drejtuar maxhorancës, duken më shumë si letra të një opinionisti të zemëruar me Kryeministrin, sesa të një lideri që kërkon një zgjidhje që ka të bëjë me gjithë shqiptarët, siç janë votimet e disa ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, apo të ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore.
Pa dyshim që pas gjashtë vitesh në pushtet, maxhorancën mund të kesh arsye të mjaftueshme për ta kritikuar. Por, megalomania politike e Ramës ka bërë që opozita të mos mundet të përfitojë nga gabimet e maxhorancës. Këtë duket se e ka kuptuar edhe vetë Rama, që tashmë kërkon protagonizëm. Por edhe këtë herë kërkon të rikthehet jo konkretisht mes pjesëmarrjes në ndryshime ligjesh apo përmirësime ligjesh, por përmes debatit me rivalin e tij politik, duke lënë të kuptohet se atij nuk i intereson më se çfarë ndodh në Kuvendin aktual e se çfarë mund të ndryshohet aktualisht, por po mendon se si do të shkojë drejt zgjedhjeve të vitit 2013. Dhe në këtë drejtim duket se nuk i ka bërë llogaritë si duhet me kundërshtarin e tij, Berishën, i cili nuk është kurrë i lehtë në përballje publike. Për këtë mjafton që Rama ti rikthehet paraardhësit të tij, Nanos, që nuk nguronte nga debatet, e sërish nuk e kishte të lehtë me mënyrën se si debaton Berisha.
