E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama-demokratëve: 11 maji jo me fanela partiake, zgjidhni mes flamurit të BE-së ose leckës së kënetës

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Kryeministri dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me shqiptarët në Milano, në kuadër të turit të tij me bashkatdhetarët jashtë vendit prej nga u bëri thirrje demokratëve të bashkohen për integrimin e Shqipërisë në BE.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se zgjedhja e 11 majit është me flamurin tonë kombëtar dhe flamurin e BE-së apo me leckën e kënetës.

“U bëj thirrje edhe të gjithë qytetarëve demokratë, atyre që janë qytetarë këtu si ju, shqiptarë si ju, që kanë të njëjtat probleme, të njëjtat ëndrra, të njëjtat nevoja të njëjtat shpresa, se kjo nuk është një ndeshje mes Interit dhe Milanit, kjo është një përballje finale me historinë tonë, që ta kuptojnë se këtë herë, të paktën këtë herë, duhen lënë në shtëpi fanelat, ngjyrat e fanelave. Këtu shikoni ne kemi flamurin kuqezi, kemi dhe flamurin e Evropës. Kemi flamurin më të bukur në botë, dhe flamurin e ëndrrës sonë shekullore”, tha Rama.

“Skënderbeu kur bëri profecinë e vet dhe shënjoi orientimin tonë si komb qysh qindra e qindra vite më parë, nuk e bëri për të na futur në BE, se nuk kishte BE atëherë. Edhe Rilindasit kur thanë dielli i shqiptarëve lind nga perëndon, nuk e thanë se donin të shkonin në BE, se s’kishte BE atëherë. Edhe Ismail Qemali bashkë me të gjithë patriotët e tjerë kur ngritën këtë flamur dhe shpallën Pavarësinë, nuk e shpallën për të shkuar në BE, por për t’u ndarë nga lindja sepse qysh nga koha e Skënderbeut shqiptari ka parë këtej nga perëndimi”, theksoi Rama.

“Dhe në 11 maj fati e ka dashur që ta kemi ne në dorë pikërisht sepse edhe BE-ja sot do që ne të jemi pjesë e saj. Por ajo derë që është hapur nuk është hapur të rrijë aty hapur përgjithmonë sa të mbarojmë ne historitë  tonë me këneta, e me bufa, e me buburreca, e me bretkosa, ajo derë është hapur duke na thënë keni 2 vjet kohë për të mbaruar të gjithë detyrat dhe hajdeni brenda”, tha Rama.

“Kështu që demokratët i pyes more po çfarë do fitoni ju më shumë, për veten tuaj, për familjen tuaj për Shqipërinë sesa çfarë na jep të gjithëve si komb, jo sot, po sot e përgjithmonë hyrja në BE? Çfarë do fitoni ju duke shkuar mbas berihait të një bufi plak që do të rikthehet për të 3-tën herë. Se herën e parë e shkatërroi fare Shqipërinë. Herën e dytë e futi në një gropë borxhesh që mezi e nxorëm. Herën e tretë tani është në gropë vetë dhe thotë hajdeni me mua t’ju fus në gropën madhështore. Asgjë”.

Rama solli dhe shembullin e primareve të Partisë Demokratike.

“Çfarë doni më u them të gjithë demokratëve, nuk ju mjafton ajo që ndodhi me primaret. Primaret ku bufi i nxori të gjithë dhe u tha “vota juaj asht ligj për mue”. Dhe çfarë ndodhi? Kush doli i pari në primare përfundoi thellë në barkun e bufit. U zhduk. I kullufiti të gjithë. Asnjërin nuk la. A thua se ju tha dilni t’ju shoh njëherë se kush nga ju ka vërtetë vota që ta ha”, u shpreh Rama.

“Si mund të diskutohet më se cila është zgjedhja më 11 maj. Zgjedhja  e 11 majit është shumë e qartë. Zgjedhja e 11 majit është me flamurin tonë kombëtar dhe flamurin e BE-së apo me leckën e kënetës. Kjo është zgjedhja”, tha Rama.

Në fund të fjalës Rama falënderoi pjesëmarrësit dhe u tha se, “më 11 maj do të kemi një festë të madhe për Shqipërinë evropiane edhe më 11 maj së bashku ne do të marrim fitoren më shembullore, jo për vete, jo për mua, jo për ju, po për mbarë popullin, kombin, vendin, shtetin tonë”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›