Rama deputeteve Zbrisni ne terren kontaktoni cdo qytetar per programin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama iu rikujtoi sërish detyrat deputetëve socialist. Takime në të gjithë territorin, kontakte me çdo qytetar për t’i përcjellë alternativën e socialistëve për garën elektorale të 23 qershorit. Në vlerësimin e kreut Rama komunikimi me qytetarët është i domosdoshëm për rilindjen e vendit.
Për këtë arsye, sipas tij, takimet dhe konferencat rajonale për programin do të vazhdojë, duke u ndalur në çdo qark.
“Axhenda e secilit prej nesh është një kusht i patjetërsueshëm për suksesin. Komunikimi përmes rrjeteve sociale është domosdoshmëri nga çdo deputet për të rritur shkallën e informimit dhe për ta ulur efektin e desinformimit të medias së pushtetit. Duhet të jeni në kontakt me grupet e interesit, me çdo familje të zakonshme ku keni kujdestarinë e tuaj politike për të maksimalizuar kontaktet sepse kontaktet e drejtëpërdrejta janë rruga më e mirë dhe e pazëvendësueshme për të përçuar në çdo familje programin tonë”, vlerësoi Rama, në fjalën e tij përpara deputetëve të grupit parlamentar socialist.
Sipas tij, njerëzit kanë shqetësime për të cilat PS ka zgjidhje të qarta. E në këtë aspekt, kreu socialist risolli në kujtesë shkurtimisht platformën e PS-së për arsimin, shëndetësinë, sigurinë e rendin, ekonominë, etj.