E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama dhe Fazliu në garë për Skenderajn

Partia e kryeministrit Hashim Thaçi qysh tani ka filluar ta “shtrëngojë rripin” për zgjedhjet e ardhshme lokale që mund të mbahen në vjeshtën e sivjetme. PDK, e cila qeveris vendin në shumicën e komunave të Kosovës, synon të sjellë emra të rinj të kandidatëve që do t’i hyjnë garës për kryetarë të komunave, ndoshta për shkak se një numër i kryekomunarëve aktualë kanë probleme me ligjin.

Partia në pushtet mësohet se po përgatit terrenin për kandidatin e ardhshëm që mund të qeverisë komunën e Skenderajt, që ndryshe njihet edhe si “çerdhja” e PDK-së.

Burime të gazetës “Zëri” në kushte anonimiteti bëjnë të ditur se lufta për kandidatët e mundshëm do të mund ta shndërronte PDK në këtë komunë në “luftë mashallash”.

Sipas këtij burimi kandidati i ardhshëm më potencial i PDK-së është Hamit Fazliu nga Prekazi i Skenderajt dhe Rafet Rama po nga ky fshat , pas përfoljeve të shumta se kreu aktual Sami Lushtaku nuk do të kandidojë edhe për një mandat tjetër.

Sipas këtij burimi, ishte menduar që në vend të Lushtakut të propozohet Rafet Rama, ish-këshilltar i ministrit Bajram Rexhepi, porse shkarkimi i tij nga kjo pozitë duket se e ka dëmtuar në masë të madhe imazhin e tij.

“PDK po mendon që për kryetar të Komunës të Skenderajt ta propozojë Hamit Fazliun, i cili ka një përvojë pune me shumë se një dekadë në fushën e qeverisjes lokale. Fazliu është figurë e pranueshme për lidershpinin e partisë dhe njeri me ndikim në PDK, por edhe i pranueshëm edhe për familjen Jashari”, ka thënë ky burim.

Ndërkaq, gazeta ka kontaktuar Fazliun, i cili ka mohuar të jetë në dijeni që partia e kryeministrit Hashim Thaçi po planifikon ta propozojë për kryetar të komunës së Skenderajt.

“Për herë të parë po dëgjoj diçka të tillë dhe sinqerisht nuk jam i informuar. S’kam asnjë koment, përveç që falënderoj ata që po mendojnë dhe Zoti iu dhashtë bereqet ”, ka thënë shkurt ai.

Edhe Rafet Rama, emër i përfolur për kreun e komunës, ka thënë se ende nuk ka asgjë definitive. Megjithatë, ai nuk e ka mohuar dhe as pohuar kandidaturën e tij të mundshme. Po ashtu, Rama ka pranuar se largimi i tij nga Ministria e Punëve të Brendshme e ka dëmtuar deri diku reputacionin e tij që gëzon në rajonin e Skenderajt. “Largimi im nuk ka qenë edhe aq serioz, dhe nuk është ndonjë dëmtim i madh”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, kryetari aktual, Sami Lushtaku pati deklaruar se do të “lëshojë frontin” prej kryekomunari, pasi që synon t’ia mësyjë ulëses së deputetit të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, i kontaktuar nga gazeta përmes telefonit, ai e ka lënë të hapur mundësinë që sërish t’i hyjë garës për kryetar të komunës së Skenderajt.

“Politikës nuk i dihet. Realisht unë kam thënë se brenda mundësive nuk do të jem më kryetar i komunës, por nuk i dihet kësaj. Dhe është herët besoj që rreth kësaj të prononcohem se ku realisht do të jem pas zgjedhjeve komunale. Nuk dua të paragjykoj, është ende herët. Unë do ta lë të hapur si opsion dhe të shohim se ku do jem, nuk e di ende saktë në zhvillimet politike”, ka thënë Lushtaku.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nisur takimet konsultative me përfaqësuesit e partive politike parlamentare rreth zgjedhjeve lokale dhe afateve të përcaktuara ligjore për zhvillimin e tyre.

Drejtuesit e subjekteve politike parlamentare kanë paraqitur qëndrimet e tyre për zgjedhjet komunale duke theksuar domosdoshmërinë e përmbajtjes së afateve ligjore për mbajtjen e tyre. Jahjaga në konsultën e parë ka takuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, sekretarin e përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqirin, sekretarin e përgjithshëm të PDK-së, Basri Musmuratin, nënkryetarin e Partisë së Drejtësisë, Jeton Svirca, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Mahir Jagxhillar dhe kryetarin e Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›