E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyra e sekreteve

Zyra e Prokurorit Disiplinor funksionon ende me rregullore të UNMIK-ut.
Emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që po hetohen nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, vijojnë të mbeten sekretë. Pyetjes se përse nuk bëhen publikë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë hetuar dhe procedurat hetimore ndaj tyre kanë përfunduar, kreu i ZPD-së, Zef Prendrecaj, është mjaftuar duke thënë se "nuk e lejojnë rregullat e brendshme të ZPD-së".

Sipas një burimi të gazetës kosovasot, që vjen nga radhët e KGJK –së, Prendrecaj bazohet në urdhëresat administrative të UNMIK–ut, të cilat tashmë janë jashtë funksionit. Zyra e Prokurorit Disiplinor vijon të punojë si në kohën kur në sistemin e drejtësisë në Kosovë ligjin e bënte UNMIKU. E njëjta linjë po ndiqet edhe aktualisht, ndonëse Ligji mbi sistemin gjyqësor dhe konkretisht Ligji mbi KGJK–në dhe KPK–në, institucione të cilave ZPD–ja u shërben, ka pësuar ndryshime.

Termi kofidencialitet po keqpërdoret nga zyrtarët e ZPD–së, të cilët fshihen pas ish-rregulloreve të përkohshme të UNMIK–ut. Madje edhe inspektorët që punojnë në ZPD, janë të zgjedhurit e Departamentit të Drejtësisë (UNMIK), në mbështetje të Rregulloreve të UNMIK-ut, të cilat kanë qenë ligj në fuqi atëkohë. Konfirmimi vjen nga kreu i ZPD-së, Zef Prendrecaj, i cili transparencën e sinkronizon me disa nga ish-rregullat e zeza të UNMIK–ut, që tashmë janë pa vlerë.

Informacionet e kërkuara të gazetës nga ZPD–ja, kanë të bëjnë me punën që inspektorët e kësaj zyre i kanë kryer, me zvarritjen e lëndëve nga kjo zyrë, me transparencën e lëndëve, procedurat e të cilave kanë përfunduar, si me kapacitetin profesional të inspektorëve të asaj zyre.

Pjesa më e madhe e përgjigjeve të dhëna nga Prendrecaj, i kanë pasur referim rregulloret e brendshme në përgjithësi, pa numra, pa data, totalisht të paspecifikuara. I pyetur për lëndë konkrete, që ka mbi 5 muaj që është depozituar pranë ZPD–së dhe ende nuk është shqyrtuar, e ku protagonist është gjyqtari Hasim Sogojeva, Prendrecaj është përgjigjur, duke thënë se, “të gjitha parashtresat e pranuara, ZPD-ja i kryen në bazë të mandatit ligjor që ka”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›