Rama do auditim ndërkombëtar dhe INSTAT të pavarur

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama mori pjesë në tryezën e organizuar me drejtues bankash në vend dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Sipas raportit të abcnews, Rama e vuri theksin tek konsolidimin fiskal, për të kuruar sipas tij financat publike dhe kreditimin e ekonomisë.
“Do të ketë një Këshill Ekonomik Kombëtar ku pjesëmarrje e përfaqësuesve të shoqatës suaj është e domosdoshme, ky do të funksionojë si tryezë e përbashkët në një periudhë të historisë sonë kur sfida është e përbashkët për të përballuar faktorët e krizës që e kanë rënduar gjendjen e ekonomisë dhe financave publike të vendit. Ju siguroj se jemi të vullnetshëm për të marrë hapat e nevojshëm për konsolidimin fiskal që të kurojmë me recetën e duhur financat publike dhe së dyti të krijojmë më shumë hapësirë për të kredituar ekonominë” shtoi Rama.
Gjithashtu Ram theksoi se INSTAT duhet të shkëputet nga tutela e qeverisë dhe të jetë i pavarur.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se mbetet i angazhuar për të mbajtur një partneritet solid me bankat.
“Dua t`ju konfirmoj vullnetin tonë për të ndërtuar një partneritet të ri me të gjithë ju ashtu sikundër edhe me protagonistët e tjerë. Sistemi bankar është një protogonist i rëndësishëm i zhvillimit dhe sot është në gjendje ta përballoj dallgën e fortë e një krize ekonomike që është shtrirë mbi hapësirën e vendit por nuk e preku këtë sistem” tha Rama.
Nga ana e tij Guvernatori Fullani bëri një pasqyrë të situatës ekonomike në të cilën ndodhet vendi.
"Sektori bankar është jo vetëm kontribuesi më i madh dhe me efektiv për rritjen ekonomike të vendit, por dhe kursimtari i familjeve shqiptare dhe destinatori i fondeve në ekonomi. Tryeza i paraprin programit që do të ndjekë qeveria e re për buxhetin ekonomik dhe për qeverinë e ardhshme”, u shpreh Fullani.
Fullani u shpreh se: “mënyra më e mirë për të përballuar krizën aktuale është integrimi Evropian”./Indeksonline/