E Diel, 1 Nëntor 2026

Blomeyer: Shqiptarët dhe serbët mund të pajtohen

Ekziston mundësia e pajtimit edhe në qoftë se ka ekzistuar një armiqësi e madhe në mes dy popujve. Mendoj se ky pajtim mund të ndodh dhe në mes të shqiptarëve dhe serbeve. Kështu ka pohuar Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Blomeyer në një Forum me temë ”Dialogu Kosovë-Serbi, në dritën e integrimit në BE dhe roli i Gjermanisë”.

Blomeyer i cili foli dhe për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe vendit nga ai vjen tha se Gjermani do të vazhdojë të përkrah Kosovën, në rrugën e saj drejtë BE-së.

Ai, po ashtu, duke folur lidhur me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka tërhequr një paralele, duke bërë krahasim mes Francës dhe Gjermanisë, vende këto të cilat pas luftës kishin një armiqësi, e që me kalimin e kohës ajo është zhdukur, duke u arritur kështu një paqe e qëndrueshme.

Sipas tij, Franca dhe Gjermania kanë krijuar marrëdhënie të mira, duke lënë të kaluarën anash. Ai, po ashtu, tha se beson që paqja mund të ekzistojë dhe në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa duke folur dhe për bisedimet mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve, të cilat, sipas tij, duhet të zbatohen tha se marrëveshja e 19 prillit, është një argument i fuqishëm për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre.

“Marrëveshja e 19 prillit është një hap i madh i shënuar e cila para disa muajsh është konsideruar e pamundur por ajo duhet edhe të zbatohet. Mendoj se kjo nuk duhet të përfundoj me kaq, kjo duhet të krijoj kontakte në mes segmenteve tjera të shoqërisë. Natyrisht se nuk mundeni t’i krahasoni raportet në mes serbëve dhe shqiptareve me ato të Gjermanisë dhe Francës, por ajo që vërehet është se ekziston mundësia e pajtimit edhe në qoftë se ka ekzistuar një armiqësi e madhe në mes dy popujve. E di se veriu është akoma një problem, ku nuk ekziston mundësia për të gjithë që të shkojë atje. Tani gjendemi në fazën fillestare të normalizimit atje, por mendoj se ky normalizim do të ndodhë. Mendoj se detyra e shqiptarëve është të ua bëjnë të qartë popullatës serbe se ata janë të mirëseardhur në këtë vend dhe se duan t’i integrojnë ata e të jetojnë së bashku”, ka theksuar ai.

Ndërsa fillimin e negociatave për MSA që është përkrahur nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ai e quajti një sukses të madh. Këto shtete, sipas tij, janë pajtuar që Kosovës t’i ipet edhe udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe se krejt çka duhet tani, sipas tij, është që të kemi durim.

Ndërsa, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, ka thënë se marrëveshja e arritur, është bazë për një bashkëpunim tjetër mes dy vendeve.

“Shembulli më i mirë në historinë e pajtimit në mes 2 popujve që kanë qenë në luftë për një kohë të gjatë është rasti i Gjermanisë dhe Francës. Kjo duhet të shërbej si shembull për të tjerë popuj që janë në konflikt. Mendoj se marrëveshja e 19 prillit, është bazë për një tjetër bashkëpunim në mes dy vendeve tona”, ka thënë ai./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›