Rama dorovit kryeqytetasit, 11 urbanë të rinj me kondicioner dhe avull
Në një prononcim për shtyp ditën e djeshme kreu i Bashkisë, tha se pikërisht dje është kurorëzuar një punë disa vjeçare e bazuar në domosdoshmërinë për tju përgjigjur kërkesave të qytetarëve dhe njëkohësisht në përmbushjen e një prioriteti dhe premtimi kryesor. Sipas Ramës shërbimi urban i kryeqytetit do të jetë i standardeve të çdo kryeqyteti evropian, dhe çdokush, çdo qytetar do të ketë mundësi që të marrë shërbimin ashtu siç e meriton. Sipas tij të gjithë autobusët e 9 linjave të Tiranës do të jenë të pajisur me kondicioner. Për herë të parë në vendin tonë, ashtu si në vendet evropiane, autobusët do të kenë një platformë lëvizëse që bën të mundur udhëtimin me këto mjete të personave me aftësi të kufizuara. Mjetet e transportit publik të linjave të ndryshme në Tiranë, do të zëvendësohen të gjitha, duke ofruar një shërbim transporti urban bashkëkohor. Kreu i bashkisë së kryeqytetit Rama ka qenë i pranishëm dje në inaugurimin e linjës së re të autobusëve në zonën e Tiranës së Re, ku nga sot do të ketë 11 mjete të reja sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Rama tha se ky është vetëm hapi i parë, në kuadër të paketave të masave që do të merren për përmirësimin e shërbimit të transportit, ku 36 % e kryeqytetasve që përdorin transportin publik në vitin 2011 do të kenë kushte të tjera, të njëjta me ato të vendeve të Be-së. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi faktin se Bashkia e Tiranës po përmbush një prioritet dhe premtim kryesor që shërbimi urban i kryeqytetit të jetë i standardeve të çdo kryeqyteti evropian. Këta autobusë janë prodhim i vitit 2010, ku ndotja është zero, pasi këto mjete nxjerrin vetëm avull. Sipas të dhënave të bashkisë ato janë të pajisura me ajër të kondicionuar, kanë platformën e sheshtë për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe janë të pajisura me sistem kamerash. Bashkia e Tiranës deri në fillim të vitit 2011 do të bëjë funksionale të gjitha korsitë për autobusët të ndërtuara në 23 rrugë të qytetit, çka do të sjellë shmangien e vonesave. Por gjithashtu do të punohet që të gjitha kryqëzimet kryesore të Tiranës të pajisen me semaforë dhe kamera në mënyrë që të menaxhohet trafiku duke i dhënë prioritet transportit publik. Bashkia e Tiranës është shprehur se kostoja e këtij shërbimi do të jetë e përballueshme për qytetarët të cilët do të kenë kushte shumë më të mira.