“Rama duke mbrojtur Barjabën, mbron origjinën e pasurive të paligjshme të bashkëpunëtorëve të tij”

PD-ja denoncon qëndrimet e PS-së, në lidhje me arrestimin në SHBA të Kosta Barjabës
“...Z. Edi Rama është i detyruar të mbrojë e të mos dënojë xhepistin e tij Barjaba, se përndryshe ai do të denoncojë para autoriteteve të zbatimit të ligjit të SHBA-së ndër të tjera, origjinën e vërtetë të pallateve të Tom Doshit, Lindita Bashës, Fidel Yllit, Sadri Abazit, kompjuterin me financa të vjedhur nga n/kryetari Veliaj. Do të denoncojë vilat e 99-shave të tij, Erion Velia, Ajola Xoxe, Olta Xhaçka etj… etj…”
Partia Demokratike reagoi dje, ndaj qëndrimeve të Partisë Socialiste, në lidhje me arrestimin në SHBA të Sekretarit për Çështjet Sociale, Kosta Barjaba. Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi tha se Edi Rama vijon të mbrojë Kosta Barjabën, i akuzuar për vjedhje në SHBA, pasi kaq frikë për anëtarët e tjerë të partisë.
“Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një fletë-rrufe që botoi dje, vazhdon të mbrojë Sekretarin e Partisë Socialiste për Çështje Sociale Kosta Barjaba, në mënyrën më të pavendosur. Kështu, ai censuroi në mediat e tij komunikatën e policisë së Palo Altos për arrestimin e Barjabës së tij, ditën tjetër mashtroi shqiptarët duke deklaruar se Kosta Barjaba nuk kishte funksione dhe lidhje me PS-në, por thjeshtë ishte ekspert i ofruar vetë.
Dhe vetëm pasi Partia Demokratike u faktoi shqiptarëve se hajduti ordiner Kosta Barjaba ishte i i shtati në listën e deputetëve të PS-së për Qarkun e Vlorës dhe se në faqen zyrtare të Partisë Socialiste ishte vendosur urimi i Vitit të Ri që ‘Rilindësi’ i Ramës u drejtonte nga qelia e burgut të Palo Altos më datë 1 janar, pra 4 ditë pas arrestimit, anëtarëve, simpatizantëve, udhëheqësve të PS-së, z. Rama njoftoi dje përjashtimin e Sekretarit për Çështje Sociale Kosta Barjaba nga PS, për të cilin një ditë më parë kishte deklaruar se nuk kishte lidhje me PS-në. Por në të vërtetë z. Rama, vazhdon ta mbrojë Barjabën dhe nuk mund të veprojë ndryshe. Në fletë-rrufenë e tij pas vendimit të Komisionit Statutor për përjashtimin e Barjabës nga PS, z. Rama shprehet, po citoj: ‘PS reagoi menjëherë ndaj xhestit të papranueshëm të cenimit nga Kosta Barjaba të një pasurie private prej 238 dollarësh’”, tha ajo.
Njëkohësisht, zëdhënësja e PD listoi dhe arsyet se perse lidershipi socialist vazhdon të mbrojë përfaqësuesin e tij.
“Kështu del qartë se Rama, vazhdon të mbrojë Barjabën pasi xhestin e tij, e quan thjeshtë të papranueshëm dhe jo një akt të ulët dhe të dënueshëm. Kjo sepse ai nuk guxon jo se nuk e di! Z. Rama e mbron Sekretarin e PS-së sepse si e shihni flet për gjest të cenimit të pasurisë private, sikur Barjaba të kishte thyer një xham apo abazhur në hollin e Nortstorm-it dhe jo vjedhur dhe arrestuar për vjedhje nga policia e Palo Altos. Rama e di që Barjaba vodhi, por për arsye familjare dhe të tjera nuk guxon të thotë për Barjabën e tij. Z. Rama mbron Barjabën, ndaj përpiqet të shfajësojë atë duke thënë se cenimi i pasurisë private ishte 238 dollarë, madje së shpejti do të na thotë se cenimi i pasurisë private nga Barjaba ishte vetëm 79 dollarë sepse pjesa tjetër u cenua nga e shoqja dhe e bija e tij. Z.Rama injoron lajmin e keq që u përhap në mbarë botën për aktin e ulët të Sekretarit të tij. Z. Edi Rama është i detyruar të mbrojë e të mos dënojë xhepistin e tij Barjaba, se përndryshe ai do të denoncojë para autoriteteve të zbatimit të ligjit të SHBA-së ndër të tjera, origjinën e vërtetë të pallateve të Tom Doshit, Lindita Bashës, Fidel Yllit, Sadri Abazit, kompjuterin me financa të vjedhur nga n/kryetari Veliaj. Do të denoncojë vilat e 99-shave të tij, Erion Velia, Ajola Xoxe, Olta Xhaçka etj… etj… Partia Demokratike i thotë z. Rama se e vërteta mund të vonojë, por nuk të harron!”, përfundon deklarata për shtyp e PD.