Rama e Meta, bashkë në Kongresin e Socialistëve Evropianë
PSSH do t'u dorëzojë socialistëve të BE-së një dosje për njohjen e situatës politike në Shqipëri dhe betejën e opozitës
Pjesë e dosjes do të jetë dhe fjalimi i kryeministrit Berisha në Kuvend, ku sulmoi Edi Ramën, duke prekur edhe familjarët e tij
Pavarësisht se tashmë janë kundërshtarë politikë, kreu i opozitës, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta do të jenë nesër bashkë në Pragë të Çekisë, ku do të marrin pjesë në punimet e kongresit të socialistëve evropianë. Të dy ish-aleatët që tashmë qëndrojnë në politikë përballë njëri-tjetrit, janë ftuar nga homologët e tyre evropianë të PSE-së, të jenë të pranishëm në aktivitetin e tyre më të rëndësishëm që i zhvillon punimet një herë në dy vjet. Megjithatë, ky eveniment i së majtës evropiane nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat konkret në marrëdhëniet mes dy ish-aleatëve, pasi siç bëjnë të ditur përfaqësuesit e PSSH-së vizita atje është programuar për të vënë në dijeni socialistët e BE-së me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe për qëndrimin refuzues që po mban qeveria e djathtë e kryesuar nga Berisha, ku Meta është pjesë, lidhur me kërkesën e opozitës për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit.
Kongresi
Në datat 7-8 dhjetor mbahet në Pragë Kongresi i 8-të i Partive të Socialistëve Evropianë, në të cilin kanë të drejtë vote vetëm përfaqësuesit e atyre forcave socialiste dhe socialdemokrate që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Në të cilin marrin pjesë të gjithë liderët e partive evropiane të majtë, ku natyrisht janë ftuar edhe krerët e partive socialiste dhe socialdemokrate shqiptare, kryetari i PSSH-së, Edi Rama, ai i LSI-së, Ilir Meta, dhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi. Natyrisht, statusi i përfaqësuesve të partive shqiptare është i njëjtë me atë të vendit tonë me Bashkimin Evropian, pra përfaqësuesit shqiptarë nuk do të kenë të drejtë vote. Në këtë kongres, Partia Socialiste do të përfaqësohet nga kryetari i saj, Edi Rama, si dhe një delegacion funksionarësh të lartë të kësaj partie, si sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë parti, Arta Dade, deputetët Tauland Balla, Ditmir Bushati dhe Arben Ahmeti.
Ndërsa LSI do të përfaqësohet edhe ajo me kreun e saj, Ilir Meta, njëkohësisht zëvendëskryeministër i Shqipërisë. Dy delegacionet nga Shqipëria mësohet se do të udhëtojnë të ndara, ndërsa nuk dihet nëse gjatë qëndrimit të tyre në Pragë do të jenë në një mjedis. Mësohet, gjithashtu, se kreu socialdemokrat për arsye personale nuk do të marrë pjesë nesër në këtë aktivitet. Gjatë punimeve të Kongresit janë parashikuar takime me liderët kryesorë të Internacionales Socialiste, partisë së evropianëve socialistë dhe autoritete të tjera të larta të Evropës dhe rajonit. Ky Kongres është veprimtaria më e rëndësishme e socialistëve evropianë dhe në të marrin pjesë 335 delegatë nga partitë anëtare dhe mbi 2000 pjesëmarrës të tjerë nga forcat dhe organizatat jo anëtare. Gjatë punimeve të Kongresit socialistët evropianë kanë parashikuar që të zhvillojnë një seancë të posaçme për Ballkanin, ku do të diskutohet mbi situatën e së majtës në të.
Denoncimi
Dy ditët e qëndrimit në Pragë delegacioni i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur që t'i shfrytëzojë më së miri në funksion edhe të luftës së saj politike që po zhvillon me qeverinë shqiptare. Kështu, mësohet se ky delegacion do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të kësaj organizate politike ndërkombëtare, ku me rëndësi pritet të jetë ai me komisionerin e ri për zgjerimin e BE-së, socialdemokratin Stefan Foele dhe me kreun e socialistëve grekë, Jorgos Papandreu. Burime pranë delegacionit të socialistëve shqiptarë bëjnë të ditur se në të gjitha takimet që do të zhvillohen në këtë Kongres personalitetet e huaja do të njihen nga afër me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe me betejën që po zhvillon opozita shqiptare për transparencën e zgjedhjeve dhe kthimin e legjitimitetit të institucioneve të dala prej tyre.
Nuk do të mungojnë gjatë këtyre takimeve edhe njohja me akuzat që kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të mazhorancës kanë bërë për familjarët e kreut të opozitës, Edi Rama. Për këtë qëllim, mësohet se PSSH ka përgatitur edhe një dosje me materiale, ku pasqyrohet më me hollësi ajo që po ndodh në politikën shqiptare. Pjesë e kësaj dosje është edhe fjalimi i përkthyer që kryeministri Sali Berisha mbajti në Kuvend, ku përfoli të gjithë familjarët e kryetarit të PSSH-së, Edi Rama.