E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama para Kryeministrisë: Protestat do të përshkallëzohen

Deklarata e Ramës erdhi gjatë protestës së organizuar nga bashkitë opozitare përpara Kryeministrisë. "Opozita është shpallur nga ky kryeministër si kupola e mafias, ndërsa bashkia si foleja e kupolës mafioze, kur është vete familja-pushtet, ajo që po shkatërron shtetin nga grisja e kushtetutës, shkeljes së parimeve të saj dhe hedhjes në plehra të ligjit”, deklaroi z. Rama.

Ai akuzoi kryeministrin Berisha se po keqpërdor policinë për të mbajtur pushtetin, duke iu referuar shoqërimit në komisariat të 18 punonjësve të pastrimit.

“Policia pa asnjë të drejtë e asnjë mandat i shoqëroi në komisariat. Ia kërkova arsyen drejtorit se pse policia mban në komisariat njerëz të pafajshëm dhe përgjigjja ishte: Kështu erdhi koha. Kur policia thotë se erdhi koha është shenjë e sigurte se një epokë po mbaron e një epokë po fillon. Epokë tjetër që fillon është ose diktaturë ose demokraci dhe vijë të mesme nuk ka. Ne jemi këtu sepse epoka e re do të jetë epokë e demokracisë dhe jo e një gjysmë demokracie”, deklaroi Rama.

Kryebashkiaku i Tiranës kërkoi anulimin e amendamentit të majit 2009-të ku qeveria ndërhyri direkt në përcaktimin e tarifave për pushtetit vendor.”Kërkojmë anulimin e vendimit të tetorit 2009-të ku bizneset e vogla nga 5-9 milionë lekë i trajton si biznese të mëdha duke i rritur taksat dhe për pasojë duke i çuar drejt falimentimit”, nënvizoi ai.

Sipas Ramës 3 800 familje që mbahen me biznes të vogël dhe ata që kanë punësuar kërcënohen nga falimentimin në janar dhe nëse ato arrijnë të mbijetojnë do të detyrohen të rrisin çmimin duke ia kaluar barrën qytetarëve.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›