E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, e hap për Topin, e mbyll për Gjinushin, Gjonin, etj

20-10-2012 / Gazeta 55

Plenumi i zi i Xibrakut – Terrori ndaj kundërshtarëve brenda së majtës, shtetrrethimi për mediat, shantazhi ndaj disidentëve të rastit dhe cinizmi ndaj aleatëve, ka karakterizuar plenumin që përcakton se Edi Rama do dalë në fushatë me kë t’i dojë qejfi dhe jo kë do elektorati. Asnjë platformë elektorale nuk shfaqet, deputetët etiketohen si kooperativistë, ndërkohë që në asamble vendoset hierarkia e fundërrinave, duke e hapur derën për Bamir Topin. Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Ilir Gjoni etj, kanë kuptuar se biografitë e tyre bolshevike s’vlejnë më, pasi në PS tani qeveris një klan privat që s’do fitoren e zgjedhjeve, por pushtet personal në opozitë

Nisur nga terminologjia e përdorur dje në mbledhjen e Asamblesë kombëtare të PS-së, ajo e tejkaloi një mbledhje (të dikurshme) kooperative. Tejkalimi dukej në terrorin, shtetrrethimin, shantazhin e cinizmin, në atë mbledhje të djeshme, e cila edhe për vendosjen e hierarkisë së fundërrinave që do t’i bashkohen karrocës së Edvinit, e meriton të quhet Plenumi i zi i Xibrakut.
Kërcënimi i djeshëm i Edi Ramës, sipas të cilit “Asnjë nga përfaqësuesit e PS-së që dhanë rezultate jo të kënaqshme në zgjedhjet vendore të 2011 të mos mendojë se do të bëhet ministër”, më tepër sesa për t’i bërë qejfin, apo për të mbajtur të karikuar vete dhe oborrtarët e tij, ishte një mesazh për fazën e parë të spastrimeve që do të nisë në parti, për të përfunduar me spastrimin përfundimtar në listat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Paralajmërimi i disa ditëve më parë, në mbledhjen e kryesisë së PS-së, për fillimin e spastrimeve në nivel vendor të strukturave të PS-së, me zgjedhjet e shtyra të tyre, dje nga Plenumi i zi i Xibrakut ju bë me dije edhe një baze  më të madhe të zgjedhurish në krye të strukturave drejtuese të kësaj partie, se kjo parti ka hyrë në fazën e spastrimit.
Sjelljet e javëve të fundit të Edi Ramës, i cili në qëndrimet e dyzuara të tij për mosvotim-votim të ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave në Parlament, kanë ngjallur një “frymë reaksionare” në radhët e deputetëve dhe të zgjedhurve të PS-së. Kjo “frymë reaksioni”, ka ardhur duke u shtuar pas sjelljeve më të fundit të Edi Ramës, i cili i ka konsideruar deputetët vërtetë si kooperativistë që duhet të votonin si dhe çfarë dëshironte ai, duke shmangur dhe injoruar vendimmarrjen e strukturave të PS-së në këto qëndrime.
Në kushtet kur tmerri që u vjen vasalëve të Edi Ramës edhe nga njoftimet e Fatos Nanos, po vjen duke u shtuar, ai zgjedh që në mbledhjen e Plenumit të zi të Xibarakut, të tejkalojë mbledhjet (e dikurshme) të kooperativave, duke vendosur një gjendje shtetrrethimi, në momentet e zhvillimit të mbledhjes, deri edhe në kufijtë me valët e celularëve, për të mbajtur të fshehtë nga mediat fazën e parë të spastrimeve.
Por pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës “për të mos dalë as miza” nga ambientet e mbledhjes së Plenumit të zi të Xibrakut, ato që ndohën atje dje ishin fakte, qoftë kryqëzimi i kryetarit të PS-së nga një pjesë e asamblistëve për sjelljet e qëndrimet e tij personale ndaj mos votim-votimeve të urdhëruara në Parlament, qoftë ndaj kostos që po i ngarkon PS-së me bllokimin e procesit të integrimit në BE të Shqipërisë. Tendenca e ndoca deputetëve e asamblistëve të oborrit të Edi Ramës për të justifikuar këtë bllokim me të gënjyerit e vetes, se kështu “çarmatosin” mazhorancën dhe kreun e saj Sali Berisha nga një argument i fortë në zgjedhje, ishin zëra të pafuqishëm, krahasuar me zërat që jepnin alarmin se ky bllokim di ti kthehet në bumerang PS-së në zgjedhjet e ardhshme.
Në këto rrethana mësohet se Edi Rama u detyrua dje ta ulte debatin e mbledhjes së Plenumit të zi të Xibrakut në nivelin e një debati të një mbledhje (të dikurshme) kooperative, ku nga njëra anë ishte kooperativisti Ilir Gjoni & Co dhe nga ana tjetër ishte krye-kooperativisti, kryetari i kooperativës PS, Edi Rama.
Si dikur në kohë fushatash plugimi, plehërimi, korrje a shirje, kooperativat i kërkonin ndihmë njëra-tjetrës, këtë paralajmërim tjetër artikuloi dje Edi Rama, i cili duke modifikuar paksa terminologjinë, ftesën për ndihmë në fushatë e ardhshme zgjedhore, e la të hapur së pari për “fundërrinat” e FRD-së së Bamir Topit, por duke e mbyllur, për arsye që ende nuk dihen (por që merren me mend) për PSD-në e Skënder Gjinushit..., si edhe për kooperativistë të tjerë të tipit të Ilir Gjonit...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›