E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet/86% e shqiptarëve duan integrimin në BE

20-10-2012 / Gazeta 55

Shqiptarët e mbështesin në mënyrë të fortë anëtarësimin

Një sondazh i publikuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare, i realizuar me një kampion prej 1,200 të intervistuarish, tregon se mbështetja e shqiptarëve ndaj integrimit europian është rritur duke arritur në 86.5%, krahasuar me vitin e kaluar, kur sipas sondazhit ra në 80%. Vrojtimi i këtij viti tregon për përmirësim. Arsyeja kryesore për të cilën shqiptarët pranojnë të votojnë, por në një referendum të supozuar, në lidhje me anëtarësimin, është tërësisht ekonomike, pasi besojnë se kjo do të rriste standardin e jetesës. Duket se zhvillimet e brendshme kanë ndikim të fortë në perceptimin e shqiptarëve ndaj procesit të integrimit. Ndërsa vitin e kaluar, kur kriza politike ishte ende e fortë, 40% mendonin se integrimi do të sillte forcimin e demokracisë, këtë herë afër 38% mendojnë se integrimi do të sjellë rritje të standardit të jetesës, ndërsa afër 47% mendojnë se do të shtojë vende pune, do të forcojë shtetin e së drejtës dhe do të ketë më pak korrupsion. Sipas studimit, rreth 49% e të intervistuarve mendojnë se Shqipëria ka ardhur koha që të anëtarësohet në familjen e përbashkët dhe se vendi është i gatshëm. Por, rreth 40% mendojnë se anëtarësimi do të mund të fitohet brenda vitit 2020.
Që nga nëntori i kaluar, falë marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës vendi ka bërë hapa përpara në plotësimin e rekomandimeve të Brukselit, ndonëse mosmarrëveshjet mes palëve vazhdojnë. Afro gjysma e qytetarëve, sipas sondazhit, mendon se vendi nuk është gati për anëtarësim, ndërkohë që 30% mendojnë se Shqipëria është e përgatitur. Ndërsa janë afër 37% e qytetarëve që mendojnë se Bashkimi Europian duhet ta pranojë vendin para se të jetë gati. Studimi tregon se pjesa më e madhe e shqiptarëve informohen për këtë proces nëpërmjet mediave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›