E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama e promovon “Kurban”-in edhe në Preshevë

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, sot do të qëndrojë në vizitë njëditore në Preshevë.

Me rastin e vizitës së tij të organizuar nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut nga Lugina e Preshevës, Edi Rama do ta promovojë librin e tij “Kurban” para publikut vendor, si dhe do të takohet edhe me liderët vendor politik.

Po ashtu do të organizohet edhe një tribunë me aktivistë të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Derisa Rama viziton Preshevën, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se deputeti i vetëm Shqipëtar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, do të shkojë sot për vizitë në Tiranë, i cili do të shoqërohet edhe nga kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Galip Beqiri dhe kryetari i Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, e kishte vizituar Luginën e Preshevës në mars të vitit 2010. Por një vizitë të tillë nuk ka mundu ta bëjë pak ditë më parë ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, pasi ishte ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›