“Rama është vetë problemi, s’mund të ketë dialog me të!” – Lisandër Hoxha kritika PD: Kemi të njëjtën parti si në 2021, por pa Lulin! Turp për ata që kanë ndyrë duart në tendera me qeverinë
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha theksoi se qytetarët, që janë ngritur kundër qeverisë së Edi Ramës, po bëjnë histori, por shtoi se është e nevojshme që të bashkohen të gjithë për të shpëtuar nga tranzicioni që ka marrë peng Shqipërinë.

Në një intervistë për News24, ai deklaroi se forca e qytetarëve në rrugë është përmbysëse, duke iu referuar rrëzimit të qeverisë, por shtoi se zgjidhja duhet të jetë politike. Hoxha theksoi se është e nevojshme që qytetarët, të gjithë të bashkuar, të ushtrojnë presion mbi partitë politike.
“Forca e rrugës është forcë përmbysëse, zgjidhja do të jetë politike. Zgjidhja do të bëhet në mënyrë demokratike. Ne jemi vend i NATO-s. Serbia kishte situatë tjetër sepse nuk është vend i NATO-s. Fati i shqiptarëve në këtë moment është se po shkruajnë historinë. “, theksoi ai.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama është problemi në të cilën ndodhet vendi dhe se nuk mund të ketë dialog me të.
“Jemi prag një krize që nuk do të kapërcehet, nuk ka dialog me Edi Ramën. Rama është vetë problemi, nuk mund të dialogosh me problemin. Është problemi ndaj të cilit duhet të ulen të gjitha palët se si do ta trajtojnë këtë problem. Duhet qeveri antikorrupsion. Mund të kemi djem dhe vajza të mrekullueshëm ky vend, në diasporë, ta marrin Shqipërinë 7-8 muaj në këtë moment historik.”, shtoi ai.
Ai shprehu kritika edhe ndaj opozitës, duke kërkuar transformime të thella brenda PD-së dhe rikthimin e standardeve morale në përfaqësimin politik. Ai theksoi se PD është e njëjta parti si në vitin 2021, por pa Lulzim Bashën.
“Shikoni listat parlamentare, kush është bërë deputet dhe kush kanë dalë më të votuarit. Ky popull ka pasur fatin e zi të dominohet nga njerëz ultra të korruptuar. Opozita nuk e arriti vetveten. Besuam në vitin 2021 se do të transformohej. Kemi të njëjtën parti sot, por pa Lulin. Duhet të bëjmë transformime të mëdha brenda forcës sonë politike”, deklaroi Hoxha.
Ai foli edhe për përfshirje të emrave opozitarë në tendera me qeverinë.
“Nëse nuk ndodhin transformime mbi bazën e moralit dhe deputetët e përfaqësuesit e lartë nuk i kapin prej xhakete, ke mbaruar me besueshmërinë publike. Këto ua kam bërë propozime në partinë time. Dukem si kritik ndonjëherë. Ndonjë demokrat thotë se çfarë ka Lisandri, por kur ua shpjegoj nga afër, i pyes: do të doje të kishte ndonjë si vetja që të përfaqëson, apo një që gjendet në tendera me qeverinë? Opozitë me moral, PS me moral. Ndeshemi me programe si dikur.”, u shpreh ai.
I pyetur për demokratët që mund të jenë të përfshirë në tendera me qeverinë, ai tha se nuk dëshiron të bëjë “gjueti shtrigash”, por paralajmëroi se do të flasë kur të dalin prova konkrete.
“Kur të gjykohet dosja Balluku në gjykatë, më ftoni t’i komentojmë ato përgjime dhe njerëzit që do t’u gjendet emri brenda. Turp t’i vijë çdo përfaqësuesi politik që ka ndyrë duart në këtë stabilokraci, në kurriz të djersës dhe hakut të demokratëve që i kanë ndjekur në çdo lloj situate dhe vështirësie. Unë nuk bëj gjueti shtrigash, por kur të dalin provat, unë do të flas, se nuk përmbahem më”, deklaroi anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së.