E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjan se u dogjëm në Irak e Libi, por Siria nuk është kos

11-05-2013 / Nga Thomas Friedman

Pasi që u dogjëm në Irak dhe Afganistan, duke përcjellë me shqetësim të thellë periudhën pas revolucioneve në Libi, Tunizi dhe Egjipt, presidenti Obama me të drejtë po tregohet i kujdesshëm që të mos digjet në Damask. Tani kemi parë mjaft tranzicione arabe prej autokracisë dhe mund të marrim disa leksione të rëndësishme se çfarë nevojitet për ndryshime pozitive në këto shtete

Nga Thomas Friedman
(Nju Jork Tajms)

Një mik arab më pati thënë se debati amerikan rreth përfshirjes në Siri ia kishte kujtuar një proverb arab: “Po qe se e djeg gjuhën me qumësht, gjatë tërë jetës do të mbetesh duke i fryrë kosit”. Pasi që u dogjëm në Irak dhe Afganistan, duke përcjellë me shqetësim të thellë periudhën pas revolucioneve në Libi, Tunizi dhe Egjipt, presidenti Obama me të drejtë po tregohet i kujdesshëm që të mos digjet në Damask. Tani kemi parë mjaft transicione arabe prej autokracisë dhe mund të marrim disa leksione të rëndësishme se çfarë nevojitet për ndryshime pozitive në këto shtete. Ne jemi duke i shpërfillur leksionet në dëm tonin – posaçërisht leksionin e Irakut, të cilin secili do që ta harrojë, por është tejet i rëndësishëm.
Siria është binjak i Irakut: një shtet artificial që po ashtu u lind pas Luftës së Parë Botërore, brenda vijave të tërhequra nga fuqitë imperialiste. Ngjashëm si Iraku, komunitetet përbërëse të Sirisë – sunitët, alavitët, shiitët, kurdët, druzët, të krishterët – kurrë nuk shprehën vullnet të jetojnë së bashku, nën rregullat e përbashkëta. Për këtë arsye, ngjashëm si në Irak, Siria është qeverisur gjatë pjesës më të madhe të historisë së saj moderne ose nga një fuqi kolonialiste, ose një autokrat. Në Irak ekzistonte shpresa se posa që të largohej ky diktator me grusht të çeliktë, atëherë shteti do të shndërrohej shpejt në një demokraci multisektare dhe shumëpartiake. Ngjashëm mendohej edhe për Egjiptin, Libinë, Tunizinë dhe Jemenin. Por tani e shohim një dallim të madh midis Evropës Lindore më 1989 dhe botës arabe më 2013. Në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, sundimi autoritar komunist po shtypte aspiratat e mëdha dhe të rrënjosura thellë për demokracinë. Prandaj, me largimin e komunizmit, pjesa më e madhe e këtyre shteteve zgjodhën shumë shpejt qeveritë e reja – me ndihmën dhe inspirimin e Bashkimit Evropian.
Në botën arabe, në anën tjetër, pesha e rëndë e autoritarizmit po shtypte aspiratat sektare, fisnore, islamike dhe demokratike. Prandaj, me largimin e kësaj peshe, që të katërtat u shfaqën përnjëherë. Por, trendi islamik ka qenë më i fuqishmi – i ndihmuar dhe i inspiruar jo nga Bashkimi Evropian, por nga xhamitë islame dhe organizatat humanitare në Gjirin Persik – derisa trendi demokratik ka qenë më së paku i organizuar, më së paku i financuar dhe më i brishti. Thënë troç, pjesa më e madhe e Evropës Lindore doli të ishte si Polonia pas përfundimit të komunizmit, derisa pjesa më e madhe e shteteve arabe dolën të ishin si Jugosllavia pas përfundimit të komunizmit.
Siç kam thënë, shpresa jonë dhe shpresa e demokratëve të guximshëm arabë që nisën të gjitha këto revolucione ishte se ato shtete arabe do të kalonin shumë shpejt nga Saddami tek Jeffersoni, pa mbetur të ngujuar te Khomeini – pra do të kalonin prej autokracisë në demokraci, pa mbetur të ngujuar në islamizëm apo në anarkizëm.
Por, për ta bërë një gjë të tillë, ato kanë nevojë ose për një ndërmjetësues të jashtëm, që do të vepronte si mbikëqyrës i raporteve midis komuniteteve përbërëse (që kurrë nuk krijuan besim te njëra-tjetra), apo kanë nevojë për një Nelson Mandela të tyrin. Pra, fjala është për një figurë të jashtme që do të shërbente si udhëheqës, inspirim dhe drejtues i një tranzicioni demokratik, që do të përfshinte të gjitha komunitetet.
Amerika, siç e dimë të gjithë ne, e ka luajtur atë rolin e mbikëqyrëses së jashtme në Irak – me një paaftësi të madhe fillimisht. Por, në fund, SHBA-ja dhe irakianët e moderuar e gjetën rrugën e duhur, duke mposhtur sunitët dhe shiitët ekstremistë, duke miratuar kushtetutën e re dhe duke mbajtur disa herë zgjedhje të lira, duke shpresuar në lindjen e Mandelas së Irakut. Por, ata morën Nuri Kamal al-Malikin, një shiit, i cili në vend të ndërtimit të besimit me komunitetet e tjera, vetëm po thellon ndasitë sektare. Dhjetëvjeçarët e politikës me shumën zero – “Jam i dobët, si mund të arrij kompromis/ Jam i fuqishëm, përse të bëj kompromis” – është vështirë që të tejkalohen.
Të gjitha grupet militante dhe do të mbikëqyrnin tranzicionin drejt demokracisë Unë besoj se po qe se duam përfundimin e luftës civile siriane dhe futjen e Sirisë në rrugën drejt demokracisë, atëherë do të duhet një forcë ndërkombëtare, që do ta okuponte tërë shtetin, do të siguronte kufijtë, do të çarmatoste. Një gjë e tillë do të kushtonte dhe do të zgjaste shumë, derisa rezultati nuk do të ishte i garantuar.
Por, pa një lider sirian që do të bashkojë, e jo të ndajë komunitetet, qëndrimi im është se gjithçka tjetër përpos një force ndërkombëtare, do të dështojë. Pasi që nuk ka shtete vullnetare për një rol të tillë (natyrisht se nuk po e përmend SHBA-në), supozimi im është se luftimet në Siri do të vazhdojnë derisa palët të lodhen.
Ndërkohë, kurdo që të identifikojmë rebelët “e mirë”, ne duhet t’i përforcojmë ata, duke dyfishuar në të njëjtën kohë përpjekjet tona diplomatike për të krijuar një udhëheqje më të besueshme opozitare të sirianëve të gatshëm për pajtim, që do t’ua siguronin të gjitha komuniteteve siriane se kanë vend të barabartë në kabinetin e ri.  (Mos e nënvlerësoni se sa sirianë janë duke mbështetur Bashar al-Assadin, për shkak të frikës se pas tij do të vijë vetëm një Hobbes, apo Khomeini). Në atë mënyrë, kur luftëtarët të lodhen dhe të kuptojnë se nuk mund të ketë fitues apo humbës – një gjë kjo që të cilën Libani fqinj kuptoi 14 vjet pas fillimit të luftës civile – një plan për ndarjen e pushtetit do të mund të zbatohet. Madje edhe atëherë, sirianëve do t’u duhet ndihma e jashtme, për të qetësuar të gjitha palët gjatë transicionit, por ajo vështirësi do të tejkalohet kur t’i vijë koha.
Ja ku është një alternativë që nuk do të ndodhë: njëra palë do të mposhtë tjetrën dhe ta vërë paqen në atë mënyrë. Kjo quhet imagjinatë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›