Rama festoi bllokimin e statusit
Kemi një opozitë që s’e mban dot gëzimin e lig dhe po tregon edhe hapur pamjen e vërtetë si një formacion apatrid. Mbrëmë ka patur dhjetëra festa të ngushta, ku Edi Rama ka luajtur tek të gjitha Dollibashin e izolimit. Edhe në parlament, socialistët s’e mbajtën dot entuziazmin, por gostia e opozitës së hienave është e ngushtuar në kohë, sepse 23 qershori nuk është shumë larg dhe do certifikojë ndëshkimin e kësaj politike antishqiptare
Edi Rama ka flakur tej maskën. Skena e përgatitur nga Erion Veliaj ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të kreut të opozitës, i cili ka festuar mbrëmë shtyrjen e marrjes së Statusit të vendit Kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë. Në pasditen e djeshme Forumi Rinor Eurosocialist, FRESH, ka organizuar një festë më muzikë në Lezhë për të kurorëzuar strategjinë e opozitës, ndërsa festa me tej ka vijuar në Tiranë, me njerëz që kanë kontribuar në operacionin e madh antiintegrim. Të rinjve lezhjanë, kreu i opozitës u ofroi lojën e fotografisë për të humbur më shumë kohë. Ndërsa çdo ditë qindra mijëra qytetarë të ndershëm të tij vendi shkojnë në punë për të fituar më shumë mundësi për mirëqenie për familjet e tyre. Kryetari i Partisë Socialiste u propozon fëmijëve të këtyre të prindërve të humbin kohë më rrjetet sociale, të internohen në fotografimin e banaliteteve. Këtu dallon një maxhorancë serioze dhe një opozitë bjerra ditë. Edi Rama është i kënaqur për veprën abstrakte të refuzimit të votimit të tre ligjeve të kërkuara nga komisioni për Zgjerim në Bashkimin Europian që çuan në shtyrjen e marrjes së Statusit të Vendit Kandidat. Edhe në seancën parlamentare të ditës së djeshme deputeti socialist Ditmir Bushati, nënkryetar i komisionit të Jashtëm, dukej i elektrizuar për veprimtarinë jo të fisme kundër interesave qytetare e kombëtare. Sigurisht me këtë punë djali i Sul Bushatit, si shumë pinjollë të kulturës izoluese të ish-Bllokut siguruan të ardhmen në politikë edhe për një mandat tjetër. Mbrëmë në Lezhë dhe Tiranë ka patur dhjetëra festa të ngushta, ku Edi Rama ka luajtur tek të gjitha dollibashin e izolimit. Kuptohet vetiu, marrja këtë vit e statusit Kandidat, sipas strategëve të opozitës do kish cuar ujë në mullirin e PD, njësoj si para 4 vitesh anëtarësimi NATO apo lëvizja e lirë e qytetarëve në zonën “Shengen”. Kësisoj duke bllokuar statusit pengohej qeveria të realizonte projektet me fondet që jepeshin si rrjedhojë e marrjes së Statusit. Në këtë mënyrë Edi Rama ka vendosur një gur të madh bllokues në vijën e ujit të qytetarëve shqiptarë duke penguar rrjedhën natyrale të procesit të integrimit. Pengmarrja e parlamentin për interesa personale pushtetit të një njeriut duke mos lejuar deputetë e Partisë Socialiste të votojnë tre reformat është fatkeqësia më e zezë për një shoqëri proeuropiane. Në fakt, në vendet e rajonin si Kroaci, Serbeni, Maqedoni antieuropeizmi është dominant, ndërsa ajo që bie në sy në Shqipëri është e vërteta e hidhur për të keqen që vjen nga brenda dhe jo nga jashtë. Nëse në të gjithë vende e rajonit problemet i kanë pasur për çështje të jashtme, Kroacia për kufirin me Slloveninë, Maqedonia për emrin me Greqinë, Serbia me kufijtë e Kosovës së lirë dhe të pavarur, vetëm Shqipëria e ka për shkak të opozitës së shpirtkazmës, që shkallmoi të gjithë punën e bërë ndërvite për marrjen e statusit të vendit kandidat në 100 vjetorin e Pavarësisë. Një çarje të thellë të procesit të integrimit hienat e opozitës e mirëpresim prej kohësh. Por gostia e opozitës së hienave është e ngushtuar në kohë, sepse 23 qershori nuk është shumë larg. Shembja e këtij muri të turpit do të jetë akti më pastrues i ndërgjegjes së goditur kombëtare.
...