E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave miraton vendimin për dhënien e shtetësisë

13-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: Hyn në fuqi pas zgjedhjeve – fqinjtë të çlirohen nga albanofobia


Këshilli i Ministrave diskutoi dje mbi vendimin “Për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim të të huajve në rastet ku Republika e Shqipërisë ka interes shkencor, ekonomik dhe kulturor”. Kryeministri Sali Berisha sqaroi para anëtarëve të kabinetit qeveritar, se në përputhje me ligjin e shtetësisë shqiptare, të huajt që kanë mbushur moshën 18 vjeç mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim nëse Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar, edhe në rast se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, e cila do të respektohet plotësisht. Pika 6 thotë: “Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë”. Kryeministri u shpreh se duke ndjekur si model edhe vende të tjera, të cilat e kanë aplikuar, kjo shtetësi për kriterin ekonomik do të jepet për ata që kanë investuar dhe investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë me organin tatimor. “Vendimi ka të bëjë me një premtim dhe zotim të kahershëm, dhënien në përputhje me ligjin e shtetësisë shqiptare, po citoj këtu: marrja e shtetësisë me natyralizim. Të huaj që kanë mbushur moshën 18 vjeç, thotë ligji i 95, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6. Pika 6 thotë: Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, çka do të thotë se kjo pikë do të respektohet plotësisht. Pra, kjo do të thotë se edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, nëse Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar, atëherë mund të marrë shtetësinë shqiptare me natyralizim. Jemi në një pikë të veçantë. Kjo shtetësi për kriterin ekonomik do të jepet për ata që kanë investuar dhe investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë me organin tatimor. Kjo është një praktikë, të cilën para një muaji e vendosi Bullgaria. E ka Hungaria, e ka Mali i Zi. Të paktën në një formë ose në një tjetër e kanë dhe vendet më të zhvilluara, e kanë me 100 mijë dollarë, por ne e përcaktuam shifrën 200 mijë. Nuk kemi përfshirë këtu interesin kombëtar dhe këtu e kemi problem, sepse del sikur po u shesim shqiptarëve shtetësinë, gjë që nuk ndodh kurrë, sepse ata kanë shtetësi natyrale. Por kjo pikë që gjykoj unë duhet të jetë një veprim i përbashkët”, theksoi Berisha. Ligji për nënshtetësinë, tha ai, do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve elektorale dhe në këtë kontekst kreu i qeverisë kërkoi që të mos shfrytëzohet si një premtim elektoral. Në të njëjtën linjë, Berisha i bëri thirrje edhe fqinjëve që të çlirohen nga albanofobia, ndërsa solli në vëmendje se praktikën që po ndjek Shqipëria, e kanë zbatuar më herët Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria dhe Greqia. “Natyrisht kemi të bëjmë me një shtet që ka specifikat e veta. Ata vizat para nesh i kanë marrë, i kanë hequr vizat vite përpara dhe në fakt kanë dhënë shtetësi dhe pasaporta të gjithë atyre që i kanë konsideruar normal, shtetas me origjinë të tyre dhe absolutisht, kur më informuan e quaja gjënë më normale. Greqia fqinje, unë bëja thirrje që të mos trajtoheshin minoritetet si heterogjenë, por homogjenë. Këtë e kam bërë publikisht. Pse do të mohoja unë që ata janë grekë në etni, pra qytetarët shqiptarë me origjinë greke? Dhe u kanë dhënë pasaporta të tyre. Këto janë standarde shumë normale. Kjo është një praktikë që e ka ndjekur Kroacia me të gjithë kroatët që janë në Ballkan dhe në botë, e kanë ndjekur Bullgaria, Maqedonia dhe të gjithë me radhë. Jo të paktë janë shtetasit shqiptarë që kur Maqedonisë iu dhanë vizat, merrnin pasaporta me shtetësi maqedonase. Pra, kjo është një praktikë shumë e ndershme, me kusht që të mos përdoret për qëllime elektorale. Albanofobia është problem serioz. Nuk është problemi ynë, se shqiptarët nuk kanë fobira ndaj të tjerëve. Absolutisht, janë në tokën e tyre, aty ku janë. Por, ajo përbën një problem për paqen dhe stabilitetin. Unë uroj që të çlirohen nga kjo. Ftoj fqinjët që të mirëkuptojnë në interesin më të mirë të tyre kapërcimin e ndasive njëshekullore të vendosura në mënyrën më të padrejtë ndaj shqiptarëve. Ky është qëndrimi ynë, ndaj dhe kjo klauzolë kërkon një përballje të përbashkët me opozitën, me të gjithë spektrin politik”, theksoi kryeministri. Ai vuri në dukje gjithashtu se pengesat kundër shqiptarëve kanë qenë nga më të ndryshmet, deri në ngritjen e pengesave në ndërtimin e rrugës së Kombit. “U përpoqën me çdo kusht të na pengojnë në ndërtimin e rrugës së Kombit, nga frika e afrimit të shqiptarëve. Rruga e Kombit tani po shtrihet deri në Nish dhe s’po i shërben vetëm shqiptarëve, por edhe serbëve dhe kjo është normale. Dhe thuhet, nuk e di a është e vërtetë, se do e financojë vetë BE dhe unë e përshëndes këtë gjë të mirë”, përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›