Rama flet për integrimin – shqiptarët shohin kriminelin të kthehet në vendin e krimit

Konferenca e djeshme e Edvinit për politikën e jashtme dhe procesin e integrimit spikati për hipokrizinë, si refren i kursit të 99-shit që drejton opozitën. Bllokatori i pamoralshëm foli për një nerv të ri në kursin e reformave, por s’rrëfeu, as për bllokimin e 3 ligjeve që kërkon Brukseli e as për arritjen e konsensusit që do të sillte një përshpejtim të procesit
Edi Rama u konfirmua dje si bllokator i pacipë kur foli në tryezën për politikën e jashtme, për “normalizimin e marrëdhënieve me aleatët”, veçanërisht Bashkimin Europian. Shqipëria prej 3 vitesh qëndron prapa dyerve të Brukselit, në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat. Dhe kjo i është mohuar po për të tretin vit radhazi, për shkak të mos-plotësimit të kushteve të Komisionit Europian. Sivjet vendi ynë ishte shumë pranë statusit, por sërish politika bllokatore e gatitur në selinë mavi të kreut të PS, e la vendin sërish jashtë vëmendjes së Brukselit, ndonëse në mënyrë të pamerituar. Ajo që është jashtë kontekstit normal, ka të bëjë me propagandën e djeshme të PS, në një tryezë të rrumbullakët, ku kinse u prezantua programi i opozitës për politikën e jashtme. Po cili është qëndrimi i PS, në raportet e Shqipërisë në diplomacinë? Në tërësi ka mbizotëruar politika e konfliktualitetit, duke akuzuar dhe hedhur baltë rreth raporteve shtetërore, sulmuar dhe përçudnuar bizneset e huaja në vendin tonë, si dhe duke dominuar në rrethana të paimagjinueshme, tendencat për cenimin e raporteve të shkëlqyera ekonomike dhe diplomatike të Shqipërisë me vende europiane dhe ato të rajonit. Cili është programi i PS për integrimin në Bashkimin Europian? Këtu fjalët e lidershipit socialist ishin gjithnjë e më të pakta, ndërsa stafetën e tuprmbajtësit të bllokatorit të pacipë, ia kishte ngarkuar Ditmir Bushatit, i cili me pafytyrësinë më të madhe, tha se “integrimi i Shqipërisë në BE, për PS-në nuk është thjesht një slogan, por një program politik”.
Mashtrimi më i madh që është regjistruar ndonjëherë, në prani edhe të ambasadorëve të lartë, përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të vendeve mike në Shqipëri. Ambasadori i BE, Ettore Sequi është dhe mbetet ndër personalitetet më të shquara të Brukselit që në koherencë të plotë me zhvillimet politike në Shqipëri, ka nxitur dhe motivuar përmbushjen e detyrimeve të BE. Apelet e tij drejtuar klasës politike, s’kanë munguar, por jo e gjithë “klasa politike” ka qenë e vëmendshme ndaj apeleve të Brukselit. Partia Socialiste për asnjë moment s’i ka ngarkuar vetes detyrimet marrëdhënieve Shqipëri-BE. Dhe kjo s’është e rastësishme. Të njëjtën sjellje demonstroi edhe ndaj integrimit të Shqipërisë në NATO. Ende sot e kësaj dite është e freskët në memorien e shqiptarëve protesta në qendër të Tiranës, mu bash ditën kur Shqipëria merrte ftesën për anëtarësim. Liberalizimi i vizave ishte një tjetër specifikë që tregoi se Partisë Socialiste nuk i interesonin raportet me Brukseli, sikurse nuk i interesonte lëvizja e lirë e shqiptarëve në hapësirën Schengen, kjo dhe për arsye të tyre ideologjike. Në të gjithë këta tregues, Edi Rama doli hapur bashkë me hipokrizinë e tij, duke u konfirmuar si bllokator i pacipë. As shmangia e vëmendjes drejt gjeopolitikës, si njohës jo i mirë i çështjeve diplomatike, duke u fokusuar te politika rajonale, duke lënë në plan të dytë sferën e gjeopolitikës euroatlantike, nuk e shpëton atë nga përgjegjësia e pengmarrjes së integrimit. Në takimin e djeshëm morën pjesë ambasadorët e SHBA-së dhe të Bashkimit Europian, Arvizu e Sequi. Edhe pse takim elektoral, Edi Rama, për hir të prezencës aty të dy përfaqësuesve më të rëndësishëm diplomatik në Tiranë, duhet të kishte kërkuar ndjesë për bllokimin 3-vjeçar të statusit të Shqipërisë, si vend kandidat në BE. Janë të njohura tashmë për gjithsecilin, përfitimet nga ky “vlerësim” i Brukselit dhe dihet po ashtu botërisht që Edi Rama na ka mohuar miliona euro investime në infrastrukturë, subvencionime fermerësh, në vende të reja pune si dhe qindra e mijëra bursa studimi në vendet e Bashkimit Europian. Të gjitha këto, thjesht e vetëm për interesat e ngushta politike të uzurpatorit të PS.