Dule i bashkohet koalicionit Aleanca për Shqipërinë europiane
Partia Socialiste ka nënshkruar sot marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Partinë Bashkimi për të Drejtat e njeriut.
Në një konferencë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryesocialisti Rama theksoi se bashkëpunimi me PBDNJ-it është i një vizioni për Shqipërinë europiane.
“Nuk ka nevojë për shumë fjalë për afrimitetin e bashkëpunimit dhe objektivat afatgjatë të vizionit të një Shqipërie që e kemi të përbashkët. Për këtë flet historia e afërt dhe më e largët, tradita e një miqësie e fqinjësie të mirë, mbështetur në respektin reciprok. Jam i kënaqur që me mikun e kolegun Dule, kemi dakordësuar që të hyjmë së bashku ne koalicionin Aleanca për Shqipërinë evropiane tha Rama duke shtuar se zgjerimi i koalicionit do të vijojë.
Nga ana e tij kreu i PBDNJ-it Vangjel Dule vlerësoi bashkëpunimin ndër vite me Partinë Socialiste ndërsa shtoi se koalicioni opozitar do të bëjë të mundur rotacionin politik në 23 qershor.
Në konkludim të bisedimeve për bashkëpunim, nuk ka filluar rishtazi, prej vitesh dhe kjo në bën më të sigurt se njohim mirë njëri-tjetrin dhe pikat që na bashkojnë. Pas katër vitesh opozite me vizion e objektiva të qarta është momenti më kulmor që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët të realizohet rotacioni i shumëdëshiruar, për ti hapur vendit perspektivën e integrimit në BE. Ky bashkëpunim besoj se do të ketë kontributin sado modest edhe nga ana jonë tha Dule.