E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Marrëdhëniet Shqipëri-Itali i kalojnë 100 vite

06-11-2012 / Gazeta 55

Ministrja e integrimit, e pranishme në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Todit në Itali

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu mori pjesë në aktivitetin “Festa e 100 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë” organizuar në Pallatin Vignola, nga Bashkia e Todit, nën kujdesin e ish ambasadorit italian në Shqipëri, Paolo Foresti.  Gjatë përshëndetjes së saj në këtë ceremoni, ministrja Bregu shprehu kënaqësinë e veçantë për pjesëmarrjen e saj, si e ftuar nderi mes miqve italianë. Sipas Ministres Bregu kjo ceremoni është mjaft domethënëse për Shqipërinë dhe për lidhjen që kanë dy vendet tona prej shekujsh, e që forcohet akoma më shumë me perspektivën e qartë europiane për Shqipërinë. Ministrja Bregu theksoi se Shqipëria në 100 vitet e fundit ka kaluar periudha shumë të vështira, luftëra, pushtime, një nga diktaturat më të egra të historisë së njerëzimit, dhe një tranzicion të vështirë drejt demokratizimit, ndërsa sot, feston 100 vjetorin si një vend i lirë, demokratik, si një partner i përgjegjshëm i Shteteve të Bashkuara dhe Europës, si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që pret së shpejti statusin e vendit kandidat, si një faktor stabiliteti në rajon dhe në botë dhe që është krenar që ka arritur të transformohet kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër. Zëvendës President i Dhomës së Deputetëve prof. Roko Butilione dhe Kryetari i Bashkisë së Todit Dr. Carlo Rossini janë shprehur gjithashtu entuziastë për arritjet e Shqipërisë, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër Evropë si dhe për vlerat e lashta të kombit shqiptar, që gjeografikisht e historikisht i ka përkitur prej shekujsh Evropës.  Nga ana e tyre, Z. Butilione dhe Rossini përshëndetën arritjet e Shqipërisë të cilat Italia i ka përcjellur me shumë vëmendje gjatë gjithë kohës, si partneri kryesor i Shqipërisë në Europë, dhe një nga mbështetësit kryesor të vendit në procesin e integrimit evropian. Pas ekspozitës së pikturës shqiptare që nga koha e pavarësisë e deri më sot, duke e zbërthyer atë në tri dimensione që nga arti i shenjtë, realizmi socialist deri tek rryma e re evropiane; koleksionit të objekteve që lidhem me figurën e Skëndërbeut; koncertit me këngë popullore tradicionale e poezi shqiptare e italiane, një tjetër moment shumë interesant i këtij aktiviteti festiv, ishte prezantimi i një zbulimi mjaft të rëndësishëm, nxjerrë nga arkivat e Venedikut, që tregojnë për herë të parë qendrën Evropiane të Shqipërisë, në gjysmën e parë të shek.XIII.Prof Lucia Nadin e Universitetit të Venecias, (tashmë pedagoge në Universitetin e Tiranës), ka prezantuar statutet e Shkodrës, monument i jashtëzakonshme ligjor në atë epokë, gjetur pas shtatë shekujsh nga drafti origjinal dhe botuar tashmë për herë të parë në italisht dhe më pas në një vëllim dygjuhësh duke i dhënë një zë të fortë një realiteti të harruar. Ajo ka prezantuar gjithashtu rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Shqipëria në gjysmën e dytë të shekullit të trembëdhjetë për të mbrojtur Evropën dhe qytetërimin i saj, nëpërmjet personaliteteve të shquar, me origjinë shqiptare, të artit venencian, kishës Shën Sebastian në Venecia e pikturuar tërësisht nga Veronese.
Një tjetër prezantim po kaq interesant ishte dhe libri i shkruar nga një oficer i Gardës Bregdetare italiane, Paolo Muner, i cili tregon zbulimin në arkivat e Triestes të shfaqjes së parë të flamurit tregtar shqiptar më 14 qershor 1913. Të pranishëm në këto festime ishin Zëvendës President i Dhomës së Deputetëve prof. Roko Butilione, Kryetari i Bashkisë së Todit Dr. Carlo Rossini, Kryetarja e Qeverisë së Rajonit Umbria Znj Catiuscia Marini, Nënkryetari i Komisionit për Punët, Ceshtjet sociale dhe shëndetësinë, Tritan Shehu, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›