E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë prezanton më 11 mars paketën ndryshimeve në Kodin Penal

05-03-2013 / Gazeta 55

“Gjakmarrja, vrasja e policëve dhe vrasja e grave ashpërsohen dënimet”


Me paketën e re të ndryshimeve në Kodin Penal të propozuar nga ministria e Drejtësisë fenomene si gjakmarrja, vrasja e policëve dhe vrasja e grave, parashikohen të dënohen më ashpër. Paketa e ndryshimeve në Kodin e Penal e propozuar nga Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, do të bëhet publike më datë 11 mars.  Vitet e dënimit për këto krime do të rriten ndërsa do të parashikohet edhe burgimi i përjetshëm. “Këto vepra do të rrisin maksimumet e dënimet të tyre. Nga 25 vjet që parashikon ligji aktual në të gjithë traditën e Jurisprudencës shqiptare, Kodit Penal nga krijimi i tij, në 38 vjet deri në 40 vjet duke kaluar më pas tek burgimi i përjetshëm”, deklaroi Halimi. Një tjetër pikë e cila do të preket nga ndryshimet në Kodin Penal, ka të bëjë me diferencimin e dënimeve për përdoruesit dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike. “Në qoftë se një person kryen një veprim të caktuar dhe qëllimi i vetëm i tij është t’i bëjë dëm vetes së vetë dhe jo ti bëj dëm publikut, atëherë kjo duhet të ketë kategorizim tjetër dhe nuk mund të dënohet ashtu siç dënohet dikush që është për trafikim droge apo që e mban lëndën me qëllim për ta shpërndarë”, shpjegoi ministri. Halimi bën të ditur se ndryshime në dënim do të ketë dhe për personat që posedojnë armë pa leje, pasi do ketë dënime të diferencuara për ata që e mbajnë në shtëpi dhe ata që e mbajnë në publik. Ndryshimet në kodin penal sipas ekspertëve janë më të ashprat në këto 20 vitet e fundit, ndaj për të marrë një reagim publik, ministri i Drejtësisë Halimi ka vendosur të hap një referendum on-line.  Kështu për herë të parë në legjislacionin penal, vrasja brenda familjes do të marrë dënimin nga 38 vjet deri në burgim të përjetshëm. Më herët në një prononcim për mediat, zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi sqaroi me detaje se qëllimi i paketës ligjore është ulja e fenomenit të dhunës dhe vrasjeve brenda familjes dhe “për herë të parë do të shtohet dënimi që ka të bëjë me heqjen e së drejtës për profesionet e rregulluara, siç janë personat që përfaqësojnë shtetin. Për këta veç dënimit kryesor do të hiqet edhe e drejta e profesionit nga 15 deri në 20 vjet”, u shpreh zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi. Ajo i bëri thirrje opozitës për sa i përket ndërgjegjësimit të qytetarëve t’i largohen shfaqjes së fenomenit të dhunës në protesta, siç ishte ajo e 21 janarit. Paketa për ashpërsimin e dënimeve për vrasjet dhe armë mbajtjen pa leje është hedhur në diskutim prej më shumë së një muaji nga Ministri Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›