Rama, i dorëzuar, nis të punojë për alibinë e humbjes
Braktisja prej aleatëve si dhe mungesa e një alternative elektorale e ka detyruar liderin e opozitës t’i përqendrojë përpjekjet te prodhimi i alibisë për humbjen e ardhshme elektorale. Pasi e ndërtoi KQZ-në sipas formulës së vet, ai shpalli dje se s’do të merrte pjesë në votimin e kryetarit, duke lënë të hapur rrugën për të mos njohur rezultatin e pritshëm të humbjes në qershor të vitit 2013
Edi Rama po punon, jo për zgjedhjet e vitit 2013, sepse është i bindur se edhe ato do ti humbasë, por për fatin e tij pas këtyre zgjedhjeve.
Braktisja prej aleatëve si dhe mungesa e një alternative elektorale e ka detyruar liderin e opozitës t’i përqendrojë përpjekjet te prodhimi i alibisë për humbjen e ardhshme elektorale.
Dikur tryezat javore të krerëve të partive opozitare, tashmë kanë mbetur si pjesë e së kaluarës. Për fatin e Edi Ramës, vetëm Erion Veliaj i ka mbetur nga to tryezat e dikurshme... edhe ai pse arriti ta fusë në thes dhe t’ia rrëmbejë G 99-ës. Se sa për Paskal Milon, Skënder Gjinushin, Spartak Ngjelën, Preç Zogajn, Fiqiri Xibrin dhe Kurt Kolën apo edhe Ervin Meten, për deri sa këtyre vetëm emrat e tyre të përveçëm ju kanë mbetur, sepse emrat e partive, jo se jo, por as siglat e tyre nuk ua mban mend njeri. Këtë Edi Rama e di më mirë, ndaj kur s’ka çfarë të bëjë për “riformatimin” e tyre, si emra të përveçëm por edhe si sigla partish, po mendon për fatin e tij, personal, që të mos jetë i njëjtë me atë të “të harruarve” Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Fiqiri Xibri dhe Kurt Kola apo edhe Ervin Mete.
Këtë nuk po e bën, sikurse normal duhet ta bënte një drejtues opozite, përmes ballafaqimeve me programe, apo alternativave elektorale, por si shterpë që ai është nga kjo anë, ku programin elektoral e ngatërron me një kuti këpucësh bosh, po përpiqet të betonojë që tani, alibinë për humbjen e zgjedhjeve të vitit 2013.
Pas zhurmës që bëri për shumë e shumë muaj, për reformën zgjedhore, Kodin Zgjedhor, por edhe KQZ-në, kur këto tashmë janë formalizuar, ashtu si vetë Edi Rama i deshë, fillon e hedh vickla për kryetarin e KQZ-së.
Biles, pasi e ndërtoi KQZ-në sipas formulës së vet, ai shpalli dje se s’do të merrte pjesë në votimin e kryetarit, duke lënë të hapur rrugën për të mos njohur rezultatin e pritshëm të humbjes në qershor të vitit 2013. Megjithëse e ka konsumuar edhe në zgjedhjet e kaluara, alibinë e mosnjohjes së zgjedhjeve (me “lëvizjen hap kutitë”), Edi Rama, i zhytur në shterpësinë e ideve të tij, as alibi për mosnjohjen e humbjes nuk di të prodhojë, duke u rrotulluar rreth vetes, te parapërgatitja për mosnjohjen e zgjedhjeve.