“Rama i kërkoi të bëhet kryebashkiak i Himarës”, Vangjel Tavo pyetet nga RTSH, as e mohon dhe as e pranon se është kontaktuar nga kryeministri

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim ( që më pas ndryshoi emrin në Parti e Lirisë), Vangjel Tavo i pyetur nga Radio Televizioni Shqiptar as e ka mohuar dhe as e ka pranuar se është kontaktuar nga kryeministri Edi Rama, ku sipas mediave greke atij i është propozuar të bëhet kryetar i bashkisë së Himarës.
Sipas Vangjel Tavos, momenti familjar në të cilin ndodhet ka qenë i papërshtatshëm kur pretendohet se është kontaktuar nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Ndërsa ka theksuar se nuk është në dijeni të asaj çfarë shkruajnë mediat greke.
Sa i përket këtyre të fundit, gazeta e njohur greke “Ekathimerini” shkruante se kryeministri Edi Rama i ka propozuar ish-deputetit Vangjel Tavo që të bëhet kryebashkiak i Himarës ndërkohë që Fredi Beleri ndodhet në paraburgim me akuzën për blerjen e votave më 14 maj dhe derisa të zgjidhet çështja e këtij të fundit, si një mënyrë për të zgjidhur krizën me Athinën.
Sipas medias greke, Rama është takuar në një nga kafenetë e Tiranës me Vangjel Tavon të cilit i ka kërkuar që të bëhet kryebashkiak i Himarës ndërsa ky i fundit ia ka bërë të qartë Ramës “se do ta pranonte vetëm në rast se do të pranohej nga pala greke, ndërsa theksoi se nuk do të nënshkruajë asnjë vendim apo dokument që mund të ketë lidhje me pronat e minoritetit grek në Himarë”
Më tej në shkrim thuhet se Rama nuk e ka hedhur poshtë arsyetimin e Tavos dhe më pas ish-deputeti ka njoftuar qeverinë greke, por “deri të premten e 2023-it thuhej se çështja mbetet e hapur, pasi në Athinë shpjegohet se nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga pala shqiptare”.
/rtsh.al/