E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama i përgjigjet Mitsotakis/ “Darka u përdor për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor”

Kryeministri Edi Rama priti të hahej darka mes liderëve të Ballkanit, Bashkimit Evropian dhe të ftuarit suprizë Volodymir Zelenski me ftesë të homologut grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë për të reaguar për mungesën e tij.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Arsyeja është e thjeshtë: Nuk doja ta shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë, të mbledhur në Athinë, të përfundonin punën e tyre.

Edi Rama nuk u ftua nga Kyriakos Mitsotakis për shkak të tensioneve në rritje mes dy vendeve pas arrestimit të minoritarit grek Fredi Beleri, kryebashkiakut të  zgjedhur të Himarës.Ftesa i shkoi presidentit Bajram Begaj, por ai e refuzoi me justifikimin, e kam agjendën të zënë.

Pavarësisht përjashtimit nga darka ku u fol për të ardhmen evropiane të Ballkanit nën sfondin e konfliktit në Ukrainë, Edi Rama i drejtohet me fjalët mik i dashur Kyriakos Mitsotakis dhe i thotë se ishte në të mirën e Shqipërisë të mos ishte pjesë e takimit jo-zyrtar për 20 vjetorin e Samitit të Selanikut.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i bëjë konfuzë të ftuarit e nderuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri.   Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq

Në twitter kryeministri i bën me dije homologut grek se ndryshe nga ai, nuk e mendon që “Fredi Beleri” të bëhet shkak për mos ta ftuar në samitin e Procesit të Berlinit në Tetor në Tiranë e aq më pak ta zëvendësojë me presidentin e Greqisë, me gjithë respektin për të.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Unë e kuptoj presionin nga palë të treta, të etura për të shfrytëzuar çdo rast për ta bërë qimen tra. Por, të gjithë kemi përpara sfida shumë më të mëdha, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Europës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.

Me përfundimin e darkës, kreu i qeverisë uron që ajo të ketë shërbyer që Greqia të përfshihet më shumë në procesin anëtarësues të Ballkanit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›