E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama i përgjigjet opozitës: Mbi 300 mijë të punësuar në regjistrat e shtetit

TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se aktualisht janë mbi 300 mijë të punësuar më shumë në Republikën e Shqipërisë, duke iu përgjigjur kështu nga Athina deklaratave të opozitës sipas së cilës PS nuk mbajti premtimin për 300 mijë vende pune.

Në një takim me shqiptarët në Athinë, Greqi, në kuadër të turit të takimeve me diasporën, Rama theksoi se për të faktuar këtë mjafton të shikohen regjistrat e shtetit.

“Ju me siguri dëgjoni ata që na përqeshin, bazohen te pasqyrat e moçaleve që fatkeqësisht edhe ju jeni të detyruar t’i shihni, kur hyni në ekranet e telefonave tuaj për të marrë lajme nga Shqipëria. Ndër shumë përqeshjet e tyre është edhe përqeshja se kur ne morëm detyrën premtuan 300 mijë vende pune dhe sipas tyre kjo nuk ndodhi”, tha Rama.

Mirëpo, kryeministri theksoi se mjafton të shikosh regjistrat e shtetit kur në fakt të punësuarit janë të regjistruar me emër e mbiemër, aty ku burojnë të ardhurat nga tatimet mbi pagën.

“Kur ne morën detyrën aty ishin 1 milionë e 23 mijë shqiptarë të punësuar ndërkohë që në regjistrin e pagave dhe kontributeve të Shqipërisë sot janë 1 milionë e 327 mijë të regjistruar. Ne e dimë të gjithë që këneta ka probleme të rënda me aritmetikën por unë besoj se aritmetika ashtu siç e kemi mësuar ne thotë se mes 1 milionë e 23 mijë dhe 1 milionë e 327 mijë janë pak më shumë se 300 mijë diferencë që janë sot të punësuarit në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “në atë Shqipëri nga ku sipas kënetës nuk ikte askush punonin 1 milionë e 23 mijë njerëz, ndërsa sot në këtë Shqipërinë ku sipas kënetës kanë ikur të gjithë punojnë 1 milionë e 327 mijë njerëz”.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›