E Martë, 3 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani refuzon bisedimet e drejtpërdrejta me Trump, të hapur për negociata indirekte

TEHERAN, 30 mars /ATSH-DPA/- Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka refuzuar edhe një herë negociatat e drejtpërdrejta për programin bërthamor të vendit me qeverinë e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ne iu përgjigjëm letrës së presidentit të SHBA-së nëpërmjet Oman dhe hodhëm poshtë opsionin e bisedimeve të drejtpërdrejta, por jemi të hapur për negociata indirekte”, tha Pezeshkian në një takim të kabinetit sot në Teheran.

“Irani nuk është kundër negociatave, por SHBA-ja duhet së pari të korrigjojnë “sjelljen e keqe” të së kaluarës dhe të krijojë një bazë të re për besimin”, tha Pezeshkian.

Në një letër drejtuar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, Trump tha se Teherani ose duhet të negociojë një marrëveshje të re bërthamore ose të përballet me një zgjidhje ushtarake.

Khamenei e kundërshtoi me vendosmëri këtë, duke thënë se Irani ishte i gatshëm të negocionte vetëm në mënyrë indirekte përmes vendeve të treta.

Në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e Vjenës, e cila synonte të kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Që atëherë, Teherani ka ndaluar respektimin e kushteve të marrëveshjes.

Irani po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në historinë e tij – si rezultat i sanksioneve ndërkombëtare.

Sipas vëzhguesve, vetëm negociatat e drejtpërdrejta midis shtetit të pasur me naftë dhe administratës së Trump mund të çojnë në heqjen e sanksioneve.

Teherani po përballet gjithashtu me probleme politike, me “boshtin e tij të rezistencës” të vetëshpallur kundër armikut të tij të përhershëm Izraelit – i përbërë nga grupi islamik palestinez Hamas, milicia libaneze Hezbollah dhe rebelët Houthi në Jemen – që duket se janë dobësuar ndjeshëm. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›