E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ blen 6 mijë kuti të reja, PD regjistrohet në zgjedhje

SHKRUAN: Fejzi Braushi 26-02-2011 09:39

Hapja e kutive të materialeve zgjedhore aq shumë të kërkuara nga opozita, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë, nuk ka ndihmuar në reduktimin e kostove financiare që duhen për përballimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Qeveria do të harxhojë plot 183 milionë lekë të vjetra për të blerë 6 mijë kuti të reja për materialet zgjedhore, dhe kjo për shkak se kutitë e përdorura në zgjedhjet e mëparshme në shumicën e tyre kanë dalë të dëmtuara dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të papërdorshme. Për këtë arsye KQZ ka miratuar dje me 4 vota pro, përfaqësuesit e opozitës sërish nuk morën pjesë, vendimin për të blerë 6 mijë kuti për materialet zgjedhore kundrejt një kostoje të përafërt prej 18.3 milionë lekë të reja.

Kutitë

Në relacionin shoqërues të vendimit të djeshëm, KQZ argumenton se arsyet që e çuan në këtë vendimmarrje lidhen pikërisht me daljen jashtë përdorimi të një pjese të konsiderueshme të kutive të materialeve zgjedhore të përdorura që nga viti 2003 e këtej. Menjëherë pas hapjes së kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e fundit, KQZ me anë të një raporti të hartuar nga drejtoria përkatëse, sqaron se gjatë verifikimit fizik të tyre rezultoi se të rregullta ishin vetëm 4499 kuti, ndërkohë që për procesin e ardhshëm zgjedhor duhen 5337 plus 10 për qind rezervë. “Gjatë periudhës kohore 2003-2010 këto kuti janë përdorur gjithmonë dhe kanë pësuar vazhdimisht dëmtime dhe kanë rezultuar të dobëta dhe me probleme gjatë transportimit të tyre. Kjo dhe për shkak të pastrimit disa herë me solucione, të cilat paraprakisht kanë dobësuar cilësinë e tyre”, - thuhet në relacionin shoqërues të këtij vendimi. Për këtë qëllim KQZ ka parashikuar që më parë në buxhetin e miratuar 183 milionë lekë të vjetra për të blerë kuti të reja. Për efekt të llogaritjes së një kostoje të përafërt, është marrë si bazë çmimi i kutive të votimit të blera në vitin 2005. “Çmimi për një kuti votimi (3 315 lekë) është bazuar në çmimin faktik, të realizuar për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, 2005, me procedura prokuruese dhe me kompani të huaja, ku janë përfshirë shpenzimet e transportit 10%, taksë doganore 20% dhe TVSH (20%). Fondi parashikuar për prodhimin e kutive të votimi është afërsisht 18.3 milionë lekë”, - thuhet në relacionin që shoqëroi buxhetin e miratuar nga KQZ gati një muaj më parë, duke iu referuar pikërisht këtij problemi.

Regjistrimet

KQZ-ja, megjithëse me 3 anëtarë më pak, ka vazhduar dje normalisht aktivitetin e vet, duke miratuar njëkohësisht dhe kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet e ardhshme të tre subjekteve të tjera zgjedhore. Pas PD-së dhe PDL-së, dje KQZ regjistroi si subjekte që do të marrin pjesë në garën e ardhshme për zgjedhjet e 8 Majit, Partinë Lëvizja për Drejtësi të Shqiptarëve (LDSH), me kryetar Astrit Kosturi; Partinë Aleanca Kombëtare (PAK), me kryetar Krenar Tahiri; dhe Partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen (MEGA), me kryetar Kristo Kiço. Ndërkohë, ka kthyer për plotësim dokumentacioni Partinë Emigracioni Shqiptar me kryetar Xhavit Zhurzhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›