E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ikën nga mbledhja që thirri vetë

08-10-2012 / Gazeta 55

Arritja e kompromiseve elektorale, nën efektin e këshilltarëve të ngushtë të Edi Ramës, ka sjellë një përçarje të thellë në kryesinë e PS. Mosmarrëveshjet për Kodin Zgjedhor, strukturën e brendshme të partisë si dhe kristalizimi i strukturave okulte që do kryejnë spastrimin e listës së deputetëve, ka sjellë përplasjet e thella të Edi Ramës me një grup deputetësh të kryesuar nga Arben Malaj. Rama s’e ka pritur mirë rezistencën dhe ka ikur nga mbledhja që e kishte thirrur vetë, por me vendimin në mendje, se s’do thërrasë më një kryesi partie që s’e kontrollon dot

Shmangia prej Edi Ramës e strukturave të partisë në vendimmarrjet e rëndësishme, për më tepër, sjellja e tij, sipas së cilës punën e strukturave të PS-së, e ka përqendruar në duart e dy-tre këshilltarëve në hije (të themi Erion Veliaj, Endri Fuga, apo ndonjë kapteri tjetër), ka zgjuar jo aq xhelozinë, se sa reaksionin e të anashkaluarve, të cilët formalisht “mbushin” listën e anëtarëve të Kryesisë, apo Asamblesë Kombëtare të kësaj partie.
Këmbëngulja e Edi Ramës deri në kufijtë e konsumimit për të kundërshtuar dhënien e kompromisit për ligje e reforma të rëndësishme për integrimin, por për më tepër kthesat 180 gradëshe të tij, në kufijtë e lëpirjes së asaj që kishte pështyrë, duke pranuar të japë më pas kompromisin për disa prej këtyre ligjeve e reformave, ka qenë një mesazh për anëtarët e kryesisë së PS-së, të cilët të mbledhur pakë ditë më parë, kanë pasur gjithë të drejtën, që duke u ndjerë të rrezikuar për shmangien e tyre (mospyetjen për vendimmarrjet e rëndësishme), ti paraprijnë thellimit të këtij injorimi që Edi Rama po u bënë atyre.
Pikërisht, arritja me dy kohë e kompromiseve elektorale nën efektin e dy-tre këshilltarëve të ngushtë të Edi Ramës, duke shmangur strukturat e PS-së, ka sjellë një përçarje të thellë në kryesinë e PS, si edhe reagimin e disa prej anëtarëve të kësaj kryesie. Për më tepër, mosmarrëveshjet për Kodin Zgjedhor, mosmarrëveshjet për strukturën e brendshme të partisë si dhe mosmarrëveshjet për kristalizimin e strukturave okulte që po përgatiten të kryejnë spastrimin e listës së deputetëve, ka sjellë përplasjet e thella të Edi Ramës në mbledhjen më të fundit të kryesisë së PS-së me një grup deputetësh të kryesuar nga Arben Malaj e Damian Gjiknuri.
Në fakt, kundërshtitë e të ndjerëve të shmangur e injoruar nga vendimmarrjet e PS-së, të shprehura nëpërmjet Arben Malajt e Damian Gjiknurt, më tepër se parimore, kanë të bëjnë me hallin e tyre personal. Në prag të përgatitjes së listave të kandidatëve për deputetë, kur Eid Rama nuk ka nevojë për mendimin e votën e të konsideruarve prej tij si “mbushës” listash të anëtarëve të Kryesisë, apo Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, nuk ka se si të ketë nevojë nesër për kontributin e tyre si “mbushës” listash të kandidatëve për deputetë.
Ky rrezik që po troket te të shmangurit dhe të injoruarit prej Edi Ramës, ka qenë edhe shkaku i reagimit dhe reaksionit të “mbushëseve” të shprehur nëpërmjet Abren Malajt e Damian Gjiknurit pak ditë më parë në mbledhjen e kryesisë së PS-së. Por nga ana tjetër, Edi Rama që me sa duket e ka “mbushur mendjen plot” me “këshillat” e këshilltarëve të tij “hije”, apo “kapterë”, nuk kishte se si ta priste mirë rezistencën e Arben Malajve e Damian Gjiknurëve në mbledhjen më të fundit të Kryesisë së PS-së. Dhe i njohur për paaftësinë e tij për ballafaqim, ai ka bërë atë që di të bëjë më mirë, të ikë nga mbledhja që e kishte thirrur vetë, por me vendimin në mendje, se s’do thërrasë më një kryesi partie që s’e kontrollon dot...
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›