E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama injoron ndërkombëtarët: Protestë më 10 tetor

Pas bojkotit të Parlamentit socialistët kanë vendosur të përshkallëzojnë qendrimin e tyre ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari Rama, i rizgjedhur pak ditë më parë në këtë detyrë, ka paralajmëruar protesta dhe ka ftuar socialistët të dalin në rrugë më 10 tetor.
“Veshët e shurdhër të Sali Berishës ndaj kërkesave tona tërësisht legjitime për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit; Vullneti i mbrapshtë për të mos lejuar hapjen e kutive ku mbahet mbyllur në mënyrë të paligjshme e vërteta e 28 qershorit; Përshkallëzimi i hakmarrjes politike të pushtetit të grabitur në 28 qershor ndaj njerëzve që flaken nga puna pse janë përfshirë në aktivitetin elektoral të opozitës. Gjendja e rëndë e vendit dhe e shoqërisë në kushtet e thellimit të krizës së demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë e vendosin tërë opozitën shqiptare, grupet politike e shoqërore dhe cdo individ që refuzon të jetojë kokulur në një vend ku s’ka asnjë barazi para ligjit e ku cdo liri dhe e drejtë është e kërcënuar papushim, përpara detyrimit patriotik që të bashkohet në një front proteste kundër këtij pushteti të ngritur mbi manipulimin, korrupsionin elektoral e mashtrimin publik.
Partia Socialiste i fton të gjithë, të shtunën e ardhshme 10 tetor, në manifestimin e parë të protestës për hapjen e kutive të votimit ku fshihet e vërteta e 28 qershorit, ku mbahen peng liritë e të drejtat e shumicës, ku është burgosur ligji dhe ku e kanë burimin padrejtësitë që po shtohen në kurrizin e njerëzve.
Sali Berisha gënjen veten nëse mendon se do ta shtyj gjatë, duke bërë shurdhin dhe duke ftuar opozitën të hyj në Parlament, pa plotësuar kërkesën e saj elementare për hetimin e procesit zgjedhor që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen. Unë i them Kryeministrit se do të përballet me popullin opozitar të shumicës në çdo hap të rrugës së tij dhe se opozitën e dialogut dhe të konsensusit që ndërtoi një proces historik mirkuptimi në të mirë të vendit dhe të reformave integruese në NATO e në BE, do ta ketë përballë, më të vendosur se kurrë në çdo hap të rrugës së tij, për t’i dhënë fund pushtetit të tij, nëqoftëse pushteti i tij nuk i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve të shkuara për t’i mbyllur rrugë manipulimit dhe korruptimit të zgjedhjeve të ardhshme.”

I pyetur nga Televizioni Klan për thirrjen që ditët e fundit ambasadorët Bosh, Lohan e Boshard i bënë opozitës për të hyrë në kuvend, Rama tha se pavarësisht këshillave të ndërkombëtarëve, Partia Socialiste do të vazhdojnë të këtë një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin.

“Asnjëherë nuk do të rresht së falenderuari miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, për gjithshka kanë bërë e bëjnë për Shqipërinë, ashtu sikundër i falenderoj edhe për shqetësimin e deklaratat e tyre lidhur me gjendjen aktuale. Ndaj me ta mendimin se vendi i duhur për dialogun politik në një demokraci normale është parlamenti dhe mezi pres që të plotësohen kërkesat tona normale për të hyrë në parlament. Sepse pikërisht parlamenti ka forcën ta bëjë deri në fund atë që ne kërkojmë, hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke filluar nga hapja e kutive.
Por, për sa kohë nuk ka asnjë vullnet nga pala në pushtet për ta lejuar hetimin, për t’i hapur kutitë, për të na dhënë mundësinë të luajmë rolin tonë njësoj si në një demokraci normale, ne do të ndjekim rrugën alternative, duke e marrë frymëzimin tek shembujt e shkëlqyer të historisë së vjetër e të re të botës demokratike ku duam të integrohemi dhe ku askush nuk guxon të manipulojë votat, të marrë peng kutitë e votimit, të nxjerrë kriminelë nga burgjet për të mbështetur pushtetin në fushatë, të hapë shkollat të dielën për t’i cuar nxënësit kope në mitingun e qeverisë, t’u presë ndihmën ekonomike familjeve të varfra që nuk votojnë për pushtetin apo, me zi akoma, të heqë nga puna qytetarë që shfaqen pro opozitës.”

Ndërsa interesit të gazetarëve për rrjedhjen më të fundit nga grupi parlamentar socialist, largimin e deputetit të Vlorës Shpëtim Idrizi i është përgjigjur në këtë mënyrë…
“Faleminderit”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›