E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takim me Lohan, Shqipëria ka bërë përparime për liberalizimin e vizave

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti sot Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Europian Luigi Soreca, si dhe kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri Helmut Lohan. Ministri Basha informoi Z. Soreca për ecurinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Duke u ndalur tek planet e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e integruar të kufirit, Ministri Basha bëri të ditur në këtë takim hapat e ndjekur për instalimin e plotë të sistemit të informacionit për kontrollin kufitar TIMS, për analizën e informacionit kriminal si dhe për kontrollin e kufirit detar. Basha theksoi gjithashtu përparimin e shpejtë të procesit të paisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaportat biometrike.
Deri tani numërohen rreth 200 mijë aplikime dhe mbi 190 mijë pasaporta të prodhuara, çka përbën një ritëm shumë më të mirë të këtij procesi se vendet e tjera të rajonit që e kanë filluar më herët dhe janë tashmë më pranë përfitimit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Z. Luigi Soreca vlerësoi përparimet për liberalizimin e vizave, si dhe deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur dhe do të ketë në vijimësi mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për konkretizimin e të gjithë hapave të nevojshëm deri në arritjen e një propozimi konkret për liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›