E Martë, 3 Nëntor 2026

PARIS – E ardhmja e Ukrainës në qendër të bisedimeve mes Rubio, Witkoff dhe zyrtarëve të lartë evropianë

PARIS, 17 prill /ATSH/- Franca priti sot bisedime të nivelit të lartë për Ukrainën dhe sigurinë e saj – duke shënuar herën e parë që zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë takohen së bashku për të diskutuar fundin e luftës që kur presidenti Donald Trump erdhi në detyrë në janar, sipas AP.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari special i presidentit, Steve Witkoff iu bashkuan zyrtarëve të tjerë të lartë ukrainas dhe evropianë në takime të veçanta në pallatin presidencial francez – përpara se presidenti francez, Emmanuel Macron t’i bashkonte të gjithë për një raund të fundit bisedimesh, në fund të ditës.

Takimet vijnë mes shqetësimeve në rritje për gatishmërinë e Donald Trump për t’u afruar më shumë me Rusinë dhe pas javësh përpjekjesh për të ndërmjetësuar një armëpushim në Ukrainë.

Gjithashtu, ka një zhgënjim midis evropianëve për vendimet e tjera të administratës Trump, nga tarifat deri te retorika për NATO-n dhe Groenlandën.

“Qëllimi i SHBA-së në Paris është të sigurojë një zgjidhje reale, praktike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë”, shkroi Rubio në X.

Deri në takimin e sotëm, zyrtarët e Trump ndoqën pista të veçanta negociuese midis SHBA-së dhe Ukrainës dhe SHBA-së dhe Rusisë në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë sugjeruar se përfaqësuesit evropianë nuk do të përfshiheshin në negociatat për armëpushim.

Ekspertët thanë se kjo ishte hera e parë që Witkoff – i dërguari kryesor i Trump – i ngarkuar me negocimin me presidentin rus Vladimir Putin – takohej me zyrtarë të lartë ukrainas.

Rubio dhe Witkoff u takuan sot me Macron dhe zhvilluan bisedime me homologët evropianë për të çuar përpara qëllimin e presidentit Trump – për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndaluar gjakderdhjen”, tha sot zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit Tammy Bruce. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›