Shehaj tek njësia 7: Do kursej 1 miliard euro nga administrata

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një takimi me banorë të njësisë nr. 7 në Tiranë, tha se ai është ndryshe nga të tjerët sepse është i pakapshëm dhe i pakorruptueshëm, pasi ia ka dalë me punë, duke mos ia shtrirë dorën askujt.
Shehaj u shpreh se ashtu si ai, edhe forca e tij politike është e vetmja që nuk bëri pazare dhe as u ul të bënte pazare, pasi kërkon votën e qytetarëve të thjeshtë.
“Nëse ti shikon alternativa të tjera të ngjashme, unë nuk shoh. Nëse ka një parti që është ndryshe nga të tjerët, jemi ne. Ne jemi e vetmja parti politike që nuk pranuam pazare, as nuk u ulëm. Zgjodhëm të mos bënim pazar me asnjë. Ne duam votën e qytetarëve të thjeshtë, ky është modeli ynë, jo modeli i të fortëve”, tha Shehaj.
Shehaj u shpreh se synimi i tij kryesor është mbajtja e premtimit për kursimin e 1 miliard eurove nga administrata, të cilat do t’u jepen qytetarëve nëpërmjet uljes së taksave.
“Premtimi më i madh, kursimi i 1-miliardëshit, është synimi im. Unë do ta marr administratën, do ta kthej me kokën poshtë, do ta shtrydh. Do kursej 1 miliard nga gjithë ata që shpërdorojnë paratë e qytetarëve. Të gjithë ata që na sulmojnë, sepse duan që gjërat të mos ndryshojnë, të hidhen përpjetë, nuk na ndalojnë”, u shpreh Shehaj.