“Rama ka manipuluar ambasadat dhe ka paguar diplomatë”- Belind Këlliçi: Protestën e shet si të organizuar nga ANTIFA për të marrë mbështetjen e SHBA! Banda e qeverisë drejtohet nga Balluku!
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në protestën e studentëve përdor persona civilë për të nxitur dhunë.
I ftuar në News24, demokrati vijoi më akuzat duke thënë se kreu i qeverisë e faturon këtë protestë si të organizuar nga ANTIFA, me qëllim për të marrë mbështetje ndërkombëtare.
Këlliçi tha se kjo protestë është kundër hajdutërisë në pushtet, që sipas tij drejtohet nga Belinda Balluku, edhe pse ajo nuk është në kabinetin qeveritar.
“Civilët që Edi Rama fut në turn çdo ditë janë ata që shkaktojnë dhunën që duan t’ia faturojnë studentëve dhe PD. Është Rama që i intereson kjo dhunë, që të gjejë justifikim për të shtypur protestën dhe për të gënjyer ndërkombëtar. Rama ka manipuluar të gjitha selitë diplomatike në vendin tonë sikur kjo është një protestë e organizuar nga ANTIFA për të marrë mbështetjen e SHBA. Është një mashtrim, është një Griseldë e dytë e lënë shtatzëne në mendjen e Ramës. ANTIFA nuk ka lidhje me këta studentë. Kjo protestë është kundër hajdutërisë. Një bandë që kryesohet në qeverisë nga Belinda Balluku edhe pse nuk është në qeverisje është ajo që drejton kabinetin, me një mision, grabitjen e shqiptarëve”, tha Belind Këlliçi.
Po ashtu, deputeti i PD deklaroi se Rama ka paguar diplomatë të huaj për të mos thënë të vërtetën, por theksoi së do jetë populli shqiptar ai që do flasë.
“Rama kriminalizoi shoqërinë, kapi çdo sektor dhe ktheu Tiranën dhe gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, përmes parave që merr nga trafiku i kokainës dhe nga krimi i organizuar. Kjo është një e vërtetë, që sado Rama të ketë paguar, apo lobuar diplomatë evropianë, diplomatë ndërkombëtarë siç ka qenë rasti i ambasadores Yuri Kim, sado që këtë të mos thonë të vërtetën i takon popullit shqiptar të thonë se kush është Edi Rama”, deklaroi deputeti i PD.
Këlliçi komentoi edhe akuzat e fundit ndaj Ballukut, duke thënë se SPAK duhet ti kishte shoqëruar edhe me një masë të dytë. Sipas tij, Rama nuk do të lëshojë Belinda Ballukun, sepse ka frikë pas saj radhën e ka ai.
“Nuk mund të shkojë Shqipëria në luftë civile, se Edi Rama nuk e lëshon Belinda Ballukun dhe karrigen e tij. Turp ti vijë prokurorëve që me komunikimin e akuzave të reja për Ballukun të mos shoqëroheshin këto akuza me një masë të dytë. Kjo luftë po bëhet për të mbrojtur ky Ballukun, që mos ti vijë radha këtij, sepse pas Ballukut radhën e ka ky”.