Rama kërkesë kryebashkiakëve: Ndërveprim me qytetarët përmes platformës së Bashkëqeverisjes

TIRANË, 24 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot domosdoshmërinë për ta çuar në një nivel tjetër ndërveprimin mes bashkive dhe qytetarëve duke shfrytëzuar platformën digjitale të Bashkëqeverisjes.
Gjatë një aktiviteti ku të pranishëm ishin drejtues të pushtetit vendor, Rama theksoi se me rritjen e ngarkesës së madhe për shkak të sezonit turistik, rriten edhe nevojat për shërbime publike.
“Kërkohet vëmendje aty ku ka rritje të ndjeshme të numrit të banorëve në territor për të gjitha shërbimet. Njerëzit mund të kenë nevojën e shërbimit publik, e mbështetjes së sektorit publik, që nga çështje të shëndetit, tek çështje që lidhen me qetësinë, me sigurinë e fëmijëve e kështu me radhë”, tha Rama.
Në përfundim, Kryeministri tërhoqi vëmendjen për disa kryetarë bashkish që, sipas tij, “janë bërë pak problem për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë”.
“Kjo ndodh edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, por janë disa. Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme. Besoj që kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për ta adresuar një orë më parë këtë shqetësim, i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve kryesisht në aksin Tiranë-Korçë. Nuk flas për ata të ish-Partisë Demokratike, se ata mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës, se si janë, si nuk janë prapë njëlloj është, por flas për të zgjedhurit e PS-së në aksin Tiranë- Korçë”, shtoi Rama.
/r.e/a.f/