Siguria kibernetike, gjoba deri në 10 milionë lekë për operatorët që nuk përmbushin detyrimet

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike”, i cili synon të rrisë kontrollin mbi infrastrukturat kritike dhe të forcojë mekanizmat e mbrojtjes ndaj sulmeve digjitale.
Projektligji që ndryshon ligjin nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike”, parashikon masa të reja administrative, përfshirë gjoba që arrijnë deri në 10 milionë lekë për operatorët që nuk përmbushin detyrimet ligjore.
Sipas dokumentit shoqërues, qëllimi kryesor i reformës është forcimi i kuadrit institucional dhe rritja e rezistencës së sistemeve digjitale që konsiderohen kritike për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
Një rol më të zgjeruar në këtë proces merr Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili do të ketë kompetenca shtesë në monitorimin e operatorëve, organizimin e trajnimeve dhe autorizimin e organeve të vlerësimit të sigurisë.
Një nga risitë kryesore të projektligjit është detyrimi për vetëdeklarim të masave të sigurisë nga operatorët e infrastrukturave kritike, si dhe raportimi i detajuar mbi mënyrën e hostimit dhe administrimit të sistemeve, përfshirë përdorimin e shërbimeve cloud dhe vendndodhjen e infrastrukturës.
Operatorët do të jenë gjithashtu të detyruar të zbatojnë masa aktive mbrojtëse si bllokimi, filtrimi dhe neutralizimi i treguesve të sulmeve kibernetike (IOC dhe IOA), sipas udhëzimeve të autoriteteve kompetente.
Moszbatimi i këtyre detyrimeve konsiderohet shkelje e rëndë. Sipas projektligjit, gjobat për rastet më serioze variojnë nga 4 deri në 10 milionë lekë, ndërsa mosdorëzimi në kohë i vetëdeklarimeve ndëshkohet me gjobë deri në 5 milionë lekë.
Përveç sanksioneve financiare, ky projektligj synon gjithashtu forcimin e rolit dhe kompetencave të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, përmirësimin e organizimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional përmes CSIRT-eve sektoriale, si dhe krijimin e mekanizmave të rinj të monitorimit dhe vlerësimit të përputhshmërisë, përmes detyrimit të vetëdeklarimit dhe raportimit nga operatorët e infrastrukturave të informacionit.
Në nivel strategjik, parashikohet ngritja e një Grupi Ndërinstitucional të Inteligjencës Kibernetike, ku do të përfshihen institucione si Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe strukturat e mbrojtjes.
/k.s/r.e/a.f/