Rama kthehet me “Kurban”

Njëlloj tërheqjeje e Edi Ramës nga jeta publike, pasi ia rrëmbyen postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është shpjeguar me “shock-un prej kopaçes së rëndë që hëngri”. Dhe kjo gjë ka qenë e kuptueshme për këdo.
Paranteza e tërheqjes zgjati më tepër seç duhet, duke vënë në alarm dhe atë që ai ka qejf ta quajë “popull opozitar”. Por, e gjitha paska dhe një shpjegim tjetër. Ai ka shkruar gjatë kësaj kohe një libër, të titulluar “Kurban”, dhe mendja të shkon (sipas gazetës Shekulli madje është 100% e vërtetë) se këtë titull ia ka ngulitur në kokë mënyra se si disa mbështetës të Lulzim Bashës e përuruan fillimin e mandatit të tij si kryetar bashkie. Ju kujtohet, apo jo?
Një militant i PD’së kishte marrë një dash të kopesë së tij, ose e kish blerë në treg, kishte zbritur në qendër të Tiranës, dhe mu te dera e bashkisë e kishte therur në mënyrë spektakolare.
Ishte ky një kurban që iu bë Bashës, në mënyrë që gjërat t’i shkonin fjollë. Gjithë kësaj i vinte era mesjetë.
Ndryshe, libri i Ramës del në treg këtyre ditëve. Libri ka 400 faqe, dhe në të duhet të ketë për të gjithë ngapak. Nuk është çudi që një disfatë, sidomos një disfatë si kjo që e pësoi ai, të jetë një rrethanë që të jep gjithë qetësinë e urtësinë e botës. Por, gjithashtu, nuk është çudi as që të jetë e kundërta.
Pra, që ky të jetë momenti më i papërshtatshëm për të shkruar një libër.
Pasi ta lexojmë do ta marrim vesh. Pra, nëse këtë libër e ka shkruar një Rama i vrerosur, apo një Rama që ka ditur të lërë pas atë që ka ndodhur, dhe që tani është duke shikuar përpara.