Dita më e keqe

Sir Alex Ferguson e përshkroi humbjen e thellë të Manchester Unitedit nga rivali i qytetit City, 1-6, si “ditën më të keqe” të tij në klub dhe premtoi: “Do të ketë reagim”.
Mario Balotelli dhe Edin Dzeko realizuan nga dy herë, derisa City shkatërroi Unitedin, te të cilët u përjashtua mbrojtësi Jonny Evans. “Ishte rezultati më i keq në historinë time. Ndikimi që do të vjen prej tij dhe turpërimi i humbjes”, tha Ferguson i cili drejton Djajtë e Kuq nga viti 1986.
Sergio Aguero dhe Davis Silva po ashtu realizuan për Cityn në humbjen më të thellë të Unitedit në Old Trafford nga viti 1955. Ferguson beson se disfata – që përfundoi serinë prej 19 fitoreve të njëpasnjëshme në shtëpi në Premierligë – ishte e vetëngacmuar dhe kritikoi ekipin e tij për qasjen ofensive.
“Ishte humbje e tmerrshme, por ishte vetëvrasëse. Përjashtimi i Evansit ishte vrasje për ne. Me 10 futbollistë vazhduam të sulmonim, ishte futboll i çmendur dhe përfundoi me turpërim. Ne është dashur të themi: ‘E kemi pasur ditën tonë. Besoj se ju nuk duhet të rrëzoni një futbollist në vijën e zonës. Evans është i ri, por ai u desh ta lejonte Balotellin të shkonte përpara. Kam menduar se me përvojën që kemi – Rio Ferdinand, Patrice Evra – është dashur të mbrohemi më tepër, por vazhduam të sulmojmë. Nganjëherë duhet të ketë një ndjenjë njerëzore rreth saj. Ishte një ditë e keqe”, shtoi skocezi.
Pavarësisht mënyrës së humbjes, Ferguson insistoi se United do të rikthehet dhe të ngushtojë epërsinë prej pesë pikëve që tani e ndal atë nga City. “Do të rikthehemi. Ne zakonisht shfaqim paraqitjet më të mira në pjesën e dytë të sezonit dhe duhet të ndodhë kështu. Kemi luajtur me të gjitha ekipet që i kemi afër dhe ata duhet të luajnë mes vete, andaj pjesa e dytë e sezonit do të jetë e rëndësishme për ne. Do të reagojmë, nuk ka dyshim rreth kësaj. Duhet të reagojmë sepse do të ketë turpërim të madh për ne në zhveshtore dhe kjo do të ketë ndikim. Nuk mund të besoj rezultatin. Edhe si futbollist nuk mendoj se kam humbur ndonjëherë 6-1. Kjo është sfidë edhe për mua po ashtu”, përfundoi Ferguson.
Mancini: Man Utd mbetet më i mirë se City
Menaxheri Roberto Mancini ka insistuar se Manchester City nuk e ka tejkaluar Manchester Unitedin si fuqia kryesore e Premierligës, pavarësisht fitores së thellë 6-1 në Old Trafford. “United është ende mbi ne dhe mund të ndryshojmë këtë nëse fitojmë titullin. Pas kësaj mund të jetë ndryshe, por deri atëherë United është më i mirë se ne. Ende kam respekt të madh për Unitedin dhe ekipin e tyre. Janë edhe katër ose pesë ekipe që mund të fitojmë titullin, sezoni është i gjatë”, tha Mancini.