Rama kundër rritjes së pagave, s’duron dot marrjen e asnjë vendimi në interes të qytetarit
Sulmet e paprecedentë kundër investimeve të huaja, koncesioneve dhe së fundi edhe kundër rritjes së pagave, me impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe investitorët, janë mesazhi më alarmues për perspektivën e qeverisjes së Edi Ramës. Ai duket i vendosur të luftojë kundër rritjes së mirëqenies së shqiptarëve, por veç për forcimin e pushtetit të tij klientelist
Lajmi/Berisha mban premtimin, firmos rritjen e pagës minimale me 11.3%
Partia Socialiste u shpreh dje kundër vendimit të qeverisë për rritjen e pagës minimale në 22 mijë lekë si për punonjësit e administratës ashtu edhe për ata të sektorit privat.
Edi Rama nga mbledhja e Asamblesë së PS dhe Pandeli Majko në një mesazh në Facebook sulmuan ashpër vendimin e fuqishëm të qeverisë, duke paralajmëruar pezullimin e këtij vendimi, pa u shqetësuar se nga rritja e pagës minimale janë mijëra të punësuar kryesisht në sektorin privat. Këto sulme të paprecedent me impakt të drejtpërdrejtë psikologjik tek qytetarët, janë edhe mesazhi më tmerrues për 4 vitet e ardhshme nën qeverisjen e Edi Ramës. “I bëj një thirrje qeverisë në detyrë, kryeministrit në detyrë, që të pajtohen me realitetin e imponuar nga populli sovran dhe të kalojnë në një fazë kujdestarie, pa marrë më tutje vendime në funksion të vizionit apo të programit të tyre, që u ndëshkua me votën e qytetarëve”- u shpreh Rama gjatë mbledhjes së asamblesë socialiste.
Më radikal në reagimin e tij ishte Pandeli Majko i cili përmes një mesazhi në Facebook e cilësoi vendimin e qeverisë për rritjen e pagave si një gjest të paprecedentë dhe të papërgjegjshëm. “Sot mësova që qeveria në detyre (humbëse e zgjedhjeve të 23 qershorit) ka marrë vendimin për rritjen e rrogave. Ky është një gjest i paprecedentë.
Në kushtet ekonomike të vendit ky vendim është kulmi i papërgjegjshmërisë”- thotë Majko, duke ngritur dyshime për stabilitetin e financave të vendit. “Vendimet e “premtimeve të mbajtura” duhet të pezullohen! Shqipëria është në krizë dhe nuk ka kohë për humor! Tallja nuk është virtyt! Ka ende kohë për reflektim për ata që e duan këtë vend edhe kur nuk janë në pushtet!”. Shqetësimi më i madh i tij është diku tjetër; “pse qeveria i rrit rrogat edhe pse ka humbur zgjedhjet”. “Pse nuk u kujtuan këta qeveritarë për “premtimet e mbajtura” të rritjes së rrogave para datës së zgjedhjeve (23 qershor) por kujtohen tani pasi i kanë humbur ato”?! Siç edhe kuptohet ata e kanë hallin diku gjetkë, sepse formacioni i tyre politik nuk ka në programin qeverisës as edhe një paragraf për rritjen e pagave apo të pensioneve. Ashtu sikurse nuk ka asnjë edhe një rresht të vetëm lidhur me projekte apo politika sociale në dobi të komunitetit, të të papunëve e me radhë. Një formacion politik aksidental i dominuar nga interesa klienteliste dhe i votuar në këmbim të lëmoshës, është i destinuar t’i ketë ditët e shkurtra. Kjo është edhe arsyeja e sulmeve të paprecedent ndaj koncesioneve dhe rritjes së pagave e pensioneve, se kabineti i ardhshëm është totalisht i paaftë të ruajë një trend të tillë pozitiv, drejt zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies për shqiptarët.
Dy protagonistët e mësipërm që nesër do drejtojnë vendin njëri kryeministër dhe tjetri domosdo në ndonjë pozicion ministri, vazhdojnë të kenë ide arkaike sa i takon mirëqenies së shqiptarëve, duke punuar dukshëm kundër kësaj. Nga vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale nuk përfitojnë 1% e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë vendim. Kjo për socialistët s’përbën interes, sepse sa më të varfër që të jenë shqiptarët, aq më jetëgjatë shpresojnë të jetë pushteti klientelist i Edi Ramës.