Rama, ky Shvejk i statistikave
Me formulën “1 milionë të papunë, 1 milionë anëtarë të PS”, Edi Rama po projekton realitetin e vet paralel, i cili s’ka të bëjë as me statistikat e as me shqiptarët. Për çdo tubim, ai ka vendosur të shpallë 900 anëtarësime të reja, paçka se qyteti ku bëhet aktiviteti mund të ketë veç 800 banorë në moshë madhore. I pabesueshëm e qesharak, ai çdo ditë e më tepër, edhe me propozimin e fundit për KLD-në, po mishëron në politikë personazhin “Ç’më duhet mua se ç’bëj unë”
Partia Socialiste pretendon se ka nisur fushatën e anëtarësimeve të reja në parti. Kjo fushatë, e njëjtë me atë që ndërmerrte PPSH-ja në kohën e vetë, ashtu si edhe e zhvillonte partia mëmë, ka nisur “me goditje të përqendruara”.
Edi Rama ishte i pari që sikurse personazhi i mirënjohur i Jarosllav Hashek, po merr rolin e Shvejkut për statistikat e anëtarësimeve të reja në PS.
Për Edi Ramën, 1 milionët e pretenduar si të papunë prej tij, janë 1 milionë anëtarë të PS-së. Për atë, në çdo takim që zhvillon, regjistron jo më pak se 900 anëtarësime të reja edhe nëse qyteti ka veç 800 banorë në moshë madhore.
Por, çudia qëndron se ndërsa ajo që u duk si marrja prej Edi Ramës të rolit të Shvejkut, po duket se është një “sëmundje ngjitëse”, e cila dje u mësua se kishte kapur edhe “repetitorin” e Edi Ramës, Sajmir Tahirin.
Sajmir Tahiri kishte dje radhën për pleksjen e rolit të dublantit të Rama-Shvejkut, me atë të angazhimeve bolshevike.
Dhe beniamini i Edi Ramës nuk kishte si të sillej ndryshe nga punëdhënësi i tij dhe të mos fliste për dyfishim anëtarësie të PS-së në Tiranë, për 10 e 11-fishim zyrash anëtarësie, apo edhe për 460-fishim mbledhjesh OS-ëje.
Për aq kohë sa Edi Rama po konfirmohet si Shvejku i statistikave, nuk ka se si edhe Sajmir Tahiri të mos meritojë konfirmimin si dublant i Rama-Shvejkut të statistikave.
Ndërsa Edi Rama me lojën prej Shvejku duket i pabesueshëm e qesharak, nuk ka pse edhe Sajmir Tahiri e të tjerë Sajmir Tahirë në PS, të mos duken si matrioshka, kukullat e gdhendura ruse, që hynë në folenë e njëra-tjetrës.
Edi Rama, si kukulla-Shvejk më e madhe, sipas edhe frazës së famshme (Ç’më duhet mua se ç’bëj unë) të personazhit letrar që ai me sjelljen e vetë po tenton “ta lërë në hije”, duke “i zënë vendin”, po vazhdon të sillet një politikan i vockël. Dhe ky politikan i vockël, e ka të destinuar fatin e tij (me gjithë besimin dhe shpresën e tepruar), se do t’i fitojë betejat e veta, vetëm atëherë kur Shvejku do të merret seriozisht si gjeneral ushtarak.