E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutjet e besimit dhe ato të rrezikut

15-04-2012 / Nga Ilirian Dahri

Mbizotërojnë armët e rojeve dhe ato të ushtarëve rrotull kishave. Një skenar i pabesueshëm. Ndërsa brenda kishës ka plot njerëz të varfër të cilësuar shpeshherë si skllevërit e rinj. Jashtë nuk ndodhen shenjtorët e përjetshëm dhe të përhershëm, jashtë ka roje të armatosura. Aty përballë kryqit të Krishtit në Katedralen e Rawalpindi-t, në Punjab të Pakistanit. I ka dërguar qeveria pakistaneze që të mbrojnë besimtarët e krishterë nga ndonjë shpërthim i mundshëm i ndonjë bombe. Skandali do të ishte me të vërtetë shumë i madh për vetë qeverinë. Kjo është gjendja e skllevërve të rinj nëpër kisha, në ditën e diel, Ditën e Zotit. Të panjohurit dhe të dyshuarit nuk mund të hyjnë brenda. “Dil jashtë, shko të lutesh gjetkë, më mirë një besimtar jashtë kishës se një terrorist brenda saj”. Këta janë martirët e krishterë të Pakistanit, të shkatërruar si nga ana morale dhe nga ajo ekonomike. Ndërkaq tregohen situata dramatike, katolikë që punojnë në tokat e pronarëve myslimanë dhe që jetojnë 20 apo 30 vetë në dhoma me 3 metra gjerësi dhe pesë gjatësi. Dhe nuk kanë ditë pushimi. Dhe nuk mund të dalin dot nga vendi i tyre i punës. Fëmijët gjithashtu nuk mund të shkojnë në shkolla sepse pronarët nuk e lejojnë këtë, kështuqë edhe ata punojnë me një rrogë natyrisht akoma dhe më të ulët se ajo e  prindërve të tyre. Nëse sëmuret dikush pronari zemërbardhë i jep para me taksa shumë të larta, kështuqë prindërit e tyre duhet të punojnë një vit të tërë për t’i paguar ato. Një situatë tejet e vështirë, dhe shumë prej misionarëve të krishterë kërkojnë t’i lirojnë ata, skllevërit e rinj. Por është e pamundur, duhet paguar borxhi i cili është shumë i lartë. Dikush i krahason me kanarinat e mbyllura në kafaz. Në pjesën më të madhe të rasteve të krishterët janë të varfër, padronët natyrisht që jo. Me gjithë dëshirën që kanë për të shkuar në meshën e të dielës u qëllon që për një vit të tërë të mos kenë mundësi të shkojnë atje. Ndërkaq mund të dënohen dhe të burgosen me shumë lehtësi sepse fjala e një të krishteri nuk vlen shumë, thuajse aspak. Po u futën në burg nuk kanë më mundësi të dalin për faktin se janë të krishterë. Në të kundërt, kush nuk është i tillë nëpërmjet korrupsionit të lartë mund të dalë lirisht. Por ka nuk mbaron këtu. Tregohet se në një bar - restorant hodhën në koshin e plehrave filxhanin e kafesë, sepse kishte pirë një i krishterë. Kanë vrarë një djalosh sepse preku një libër të shenjtë që nuk ishte i fesë së tij. E vranë. Po gratë? Të dhunuara dhe qeveria e cila nuk bën dot asgjë, nuk dëshiron të bëjë dot asgjë. Shkollat për të krishterët janë me pagesë, ndërsa për të tjerët gratis sepse paguan qeveria. Të poshtëruar, të vrarë, të papaguar për punën e tyre, analfabetë, janë të gjithë kështu, thuajse një popull i tërë. Një popull i tërë, i shenjtë. Aty në Katedralen e Rawalpindi-t kur mblidhen dhe këndojnë: “Mbrona, Zot, nga duart e të ligjve, shpëtomë nga njeriu i dhunshëm”. Është lutja e besimit dhe e rrezikut. Sidoqoftë njerëzit e thjeshtë, ata të rrugës e dinë se ata të krishterët janë të ndershëm dhe të mirë. Të diskriminuar por që vetë nuk dinë të diskriminojnë. Pak më tutje, tej në Kirkuk, një bombë ka shpërthyer në kishën katolike të Familjes së Shenjtë. E njëjta situatë edhe në një kishë tjetër, këtë herë luterane e cila ndodhet në mes të qytetit. Që nga viti 2005 e deri më sot kanë vdekur 900 të krishterë, mes tyre 5 priftërinj dhe janë shkatërruar 52 kisha. Nga ana tjetër nuk mungojnë edhe lajmet e mira. Pikërisht në Kirkuk është inauguruar edhe një kishë e re e quajtur “Tre burimet”, pak jashtë qytetit, e ndërtuar në tokën e dhuruar nga vetë banorët e një fshati me mbi 100 familje. Pak më larg qytetit të Kirkuk-ut me 900 mijë banorë, shumë i pasur me naftë dhe një ndër më të rëndësishmit e Irakut. Pikërisht këtu lindin dhe interesat e mëdha për këtë qytet. Arabët e duan për vetë, turqit gjithashtu por nuk mungojnë edhe kurdët të cilët kërkojnë t’ia kalojnë Kurdistanit. Në këtë situatë jetojnë ashtu të paqshëm të krishterët. Të rrezikuar dhe të kërcënuar. Në Pakistan, Irak apo Nigeri. Në këtë vend të fundit, sipas Organizatës të Kombeve të Bashkuara po “kryhen krime kundër njerëzimit”. Pikërisht nga Kombet e Bashkuara është dënuar më me forcë ploja e të krishterëve. Ishte fillimi i këtij viti kur Komisari i lartë i Organizatës të Kombeve të Bashkuara për të drejtat njerëzore, Navi Pillay deklaronte se: “grupet fondamentaliste mund të gjykohen si fajtorë për krime kundër njerëzimit, nëse rezultojnë  përgjegjës të sulmeve sistematike kundër popullsisë civile”. Dhe aty, që prej Krishtlindjeve kanë vdekur rreth 100 persona. Komisari i Organizatës të Kombeve të Bashkuara, duke ju drejtuar liderëve kombëtarë të Nigerisë dhe autoriteteteve fetare ka theksuar se: “duhet të angazhohen  për të ndaluar dhunën e nisur nga sulmet e grupeve fondamentaliste”. Të gjithë liderët duhet të flasin me një zë të vetëm për të ulur tensionin përpara se gjithçka të dalë jashtë kontrollit. Askush nuk duhet të prishë raportet e mira që ekzistojnë mes myslimanëve dhe të krishterëve, në çdo cep të botës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›